Rama dhe Basha, marrëveshja që habit

Nga Skënder Minxhozi/

Dihej që zv.kryeministri do të ishte teknik, e thoshte edhe propozimi i Mcalister. Por nuk pritej që në tetë orët e “mbylljes brenda”, dy liderët politikë që anatemuan njëri-tjetrin për plot 90 ditë, ta materializonin “ngrohjen” mes tyre duke përmbysur në një masë të madhe kuadrin politik dhe institucional që mban në këmbë maxhorancën e majtë, në prag të zgjedhjeve.

Nëse mund të thuhet se Lulzim Basha nuk ja arriti të marrë qeverinë teknike dhe kokën e Edi Ramës, është më vend të thuhet se i shkoi afër objektivit të tij politik. Në këmbim, ai krijoi gjithashtu edhe një profil politik që nuk e kishte më parë, duke u afirmuar si lideri i partisë që drejtonte prej katër vjetësh.

Nga ana tjetër, nëse është me vend të thuhet se Rama vendosi të sakrifikojë ministrin e brendshëm, atë të financave dhe një numër portofolesh të tjerë, për t’i zëvendësuar me ministra teknikë, ai ja arriti të qëndrojë në krye të ekzekutivit dhe ta mbyllë mandatin katërvjeçar si kryeministër. Duke e tërhequr opozitën në zgjedhje dhe duke shkulur nga bulevardi çadrën 90 ditore të PD e aleatëve të saj. Por edhe duke fituar legjitimitetin e zgjedhjeve të 25 qershorit, të cilat do të ishin të mangëta pa opozitën. Pa harruar kurrsesi votimin e paketës së mbetur nga reforma në drejtësi.

Është një marrëveshje që pritet të ketë impakt të gjerë në fushatën e ardhshme zgjedhore, pasi prek institucione kyç të ekzekutivit, por edhe agjenci me peshë si OSHEE, Aluizni dhe Hipotekat. Por është edhe një marrëveshje e cila godet aleatin kryesor të PS, Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke i marrë portofolin e ministrit të drejtësisë, që e mbante kryetari i partisë Vasili, por edhe atë të drejtorit të hipotekave. Njëkohësisht, duket se kjo marrëveshje, me datën e afërt të zgjedhjeve që sanksionon, do të pamundësojë një riformatim të koalicioneve. Për pasojë, një negociatë të re mes Ramës e Metës për zgjedhjet, çka e vendos nga pikëpamja elektorale LSI në pozicionni e sanduiçit, mes PS e opozitës që po hyn në zgjedhje.

Takimet dyditore të Ramës me Bashën kanë sanksionuar gjithashtu edhe një bosht të ri komunikimi e pse jo, edhe bashkëpunimi, mes dy liderësh të cilët deri dje kanë pasur pas shpine hijen bezdisëse të Berishës e Metës. Mbetet të shihet nëse ky ka qenë një rast unik, apo një praktikë e saponisur, por këto dy ditë kanë qenë një risi në procesin politik shqiptar, pasi për herë të parë në dy dekadat e gjysëm të pluralizmit shqiptar, dy figurat e vjetra historike Berisha e Meta, nuk e kanë parë veten të përfshirë direkt në një negociatë me rendësi për fatet e vendit. Aq sa ata e panë të udhës të bëjnë edhe një takim jashtë axhende, vetëm për të konfirmuar se janë ende aty dhe se duan të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre.

Marrëveshja Rama-Basha shënon fundin e kolapsit elektoral në Shqipëri. Vendi ynë duket se ka mundur të dalë nga lista e zezë dhe problematike e rajonit, duke hedhur sytë më në fund drejt kutive të votimit. Gjithsesi është me vend të thuhet se tërmeti politik që ka shkaktuar ky akord mes dy krerëve të partive kryesore, do të krijojë lëkundje edhe pas 25 qershorit. Me gjasë ka nisur të duket një linjë e re në politikën shqiptare, e cila mund të çojë drejt mbylljes së epokës së tranzicionit. Me kusht që ta lenë të marrë frymë ata që sot e panë veten jashtë tryezave të vendimmarrjes.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU