Qoftë me karota dhe kunguj, receta që bëhet për 5 minuta

Mjafton të kesh pak fantazi dhe shija e qofteve nuk do të jetë asnjëherë e njëjtë! Për verë, kemi zgjedhur t’i bëjmë me perime. Që vakti e shija të jenë të plota, shoqërojini me një fileto pule ose vici!

Përbërësit për 4 persona:
5 patate të mëdha, 3 karota,  2 kunguj, 4 qepë të njoma ose 1 qepë e thatë e vogël,  borzilok, majdanoz dhe pak hudhër e freskët të grira imët, 2 lugë vaj ulliri, 4 lugë gjizë, 80 g djathë kaçkavall i grirë, 2 të bardha vezësh,  galetë, sipas nevojës (bukë e thekur e grirë) kripë e piper sipas nevojës , vaj kikiriku ose vaj ulliri për t’i skuqur.

Përgatitja:
Pasi t’i lajmë, patatet i ziejmë me gjithë lëkurë në tenxhere me ujë të valuar, derisa kur të bëjmë provën me majën e një thike, ajo të futet lehtësisht. Ndërkohë, kungujt e larë dhe karotat e qëruara i presim në kubikë të vegjël. Në një tigan të thellë me pak vaj ulliri, hedhim në fillim qepën e grirë imët, kungujt, karotat bashkë me majdanozin dhe borzilokun. I spërkasim me pak kripë e piper, i vëmë kapakun dhe i lëmë në zjarr për 10 minuta duke i përzier herë pas here.

E heqim tiganin nga zjarri dhe e lëmë mënjanë. I hedhim në një tas që të ftohen. Patateve të ziera u qërojmë lëkurën dhe ashtu të nxehta siç janë i shtypim mirë me shtypëse patatesh ose pirun. I shtojmë te tasi ku kemi perimet e tjera bashkë me gjizën, djathin e grirë, të bardhat e vezëve dhe 2-3 lugë galetë.

I përziejmë sa të kemi një brumë të butë, por që nuk ngjit, prandaj nëse është nevoja shtojmë akoma galetë. Marrim me dorë pak nga brumi duke i dhënë formë të rrumbullakët, i lyejmë në një pjatë ku kemi hedhur galetë dhe i shtypim me dorë për t’i bërë të sheshta. Vëmë një tigan në zjarr me pak vaj kikiriku dhe i skuqim qoftet nga të dyja anët. I shërbejmë me pak sallatë jeshile.

Sipas dëshirës, mund t’i pjekim edhe në furrë. I vendosim në tavën ku kemi shtruar letër furre, i lyejmë sipër me pak vaj ulliri dhe i fusim në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 180° C, ku i pjekim për rreth 25/30 minuta ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë nga të dyja anët.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU