Qeveria me eurobond të ri në tregjet ndërkombëtare, kërkon 300 milionë euro!

Qeveria do të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare për të marr borxh përmes emetimit të një eurobondi të ri. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit një vendim, i cili i hap rrugën ministrisë së Financave të nis procedurat për huamarrjen. Vendimi përcakton se si do të përzgjidhet konsulenti financiar, që do të udhëheqë procesin dhe do të prezantojë shqipërinë tek investitorët potencialë që duan të blejnë borxhin e saj.

Top Channel ka mësuar se qeveria do të synojë të marrë 300 milionë euro hua përmes eurobondit këtë vit. Por ky nuk është një borxh shtesë. Këto para do të merren për të zëvendësuar borxhin e marrë përmes eurobondit të mëparshëm si dhe për të financuar deficitin sipas kufijve të përcaktuar në buxhetin e shtetit.

Në vitin 2015, Shqipëria shiti një eurbond përmes të cilit mori 450 milionë euro borxh me interes vjetor 5.75 për qind. Edhe pse afati i këtij borxhi mbaron në vitin 2020, qeveria do të nisë gradualisht rinovimin e tij që nga ky vit.

Plani i ministrisë së financave parashikon që qeveria të marrë gradualisht mbi 500 milionë euro në tre vitet e ardhshme për të zevendësuar eurobondin që maturohet në 2020 si dhe për plotësuar nevojat e saj për likuiditet. Sipas financave, e gjithë shuma që do të merret është brenda kufijve të deficitit buxhetor dhe nuk e cënon trajektoren e uljes së borxhit publik. Qeveria parashikon që deri në vitin 2020 borxhi publik të ulet në 63.5 për qind e prodhimit kombëtar nga 70 për qind që ishte në fund të vitit të kaluar. TCH

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU