Që të bjerë shi duhet të ketë re (dhe jo vetëm)…

Nga Skënder Minxhozi/

Duket sikur në rradhët e opozitës ka sot dy qasje ndaj skenarit politik të qeverisë teknike. I pari, ai zyrtari, thotë se me Edi Ramën në zyrë nuk do të ketë zgjedhje dhe se qeveria teknike është thjesht çeshtje kohe. Mundësisht javësh. Qëndrimi i dytë, ai i deputetëve si Genc Ruli apo Majlinda Bregu, thotë se opozita duhet t’i gjejë tek vetja resurset dhe forcat, që të ndërtojë një projekt fitues, pa pritur që Rama dhe Meta papritur të mërziten me pushtetin që kanë dhe të thonë “Po ikim”!

Të dyja qëndrimet tashmë janë bërë publike. Lulzim Basha, i cili e ka zakon të bëjë sikur nuk dëgjon, kur nuk intereson ajo që dëgjon, po vazhdon takimet me disa krerë partish opozitare, të cilët në fakt nuk kanë asgjë në dorë në këtë historinë e qeverisë teknike. Si për ta bërë më të besueshëm skenarin që po ndërtojnë brenda zyrave të tyre, Basha dhe të tjerët po nisin të përmendin edhe një herë nga e para kërcënimet për protesta dhe lëvizje popullore, të cilat nënkuptohet se do të krijojnë klimën për një qeveri teknike.

Po të dëgjosh fjalët e tyre, shtatori do të jetë një muaj shumë i trazuar në Tiranë dhe qytetet kryesore. Po bëhet gati një valë protestash opozitare. A i besojnë vërtetë këto që thonë në PD? Vështirë të thuhet se po. Sepse të gjjtha opozitat e dhjetë vjetëve të fundit kanë dështuar në provokimin e destabilizimit politik, me anë të protestave të rrugës. Është thjesht një skenar që nuk ecën. Rotacionet politike kanë ndodhur gjithmonë (falë Zotit!) përmes zgjedhjeve, pa dhunë dhe kosto njerëzore. Sepse edhe kur këto kanë ndodhur (21 janari), sërish qeveritë nuk kanë lëvizur nga vendi.

Zhurma që bën sot opozita i ngjan asaj kohës së barsur me re e bubullima, por që nuk prodhon asnjë pikë shiu. Gjithçka është aty, zhurma, shkrepëtimat dhe era, veç shiut. Dhe shiu, vallen e të cilit po kërcen prej muajsh opozita, nuk vjen nga sherret Rama-Meta dhe as nga aleancat fluide të momentit në parlament, të cilat siç u pa së fundi, janë të pabesa. Shiu do të bjerë kur opozita të prodhojë masën kritike të pakënaqësisë ndaj qeverisë, por edhe të besimit popullor tek projekti që ajo mbron. Për fat të keq opozita e sotme ende s’na e ka treguar, megjithëse kemi hyrë në vitin elektoral, se cili është projekti i saj politik. Lutjet për qeveri teknike nuk mund të quhen projekt.

Ashtu si e majta në vitin 2013, zgjedhjet duhen fituar me kundërshtarin në zyrë, jo me ministra teknikë. Sepse po nuk e deshën të gjitha palët qeverinë teknike, siç e kanë shprehur edhe deputetët e mësipërm demokratë së fundi, është thjeshtë e pamundur që të ketë një të tillë. Për pasojë, më mirë një përgatitje serioze për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duke kontestuar punën e qeverisë aktuale, programin e saj ekonomik, te papunët, investimet e munguara dhe korrupsionin, sesa llafe të kota gushti për qeveri teknike dhe qindra mijë njerëz nëpër rrugë.

4 KOMENTE

  1. Skender,besoj se ke degjuar per tersin e pojanit Shkrimet e juaja,nuk jane larg thenieve te Tij.Bile ne disa raste ,perputhen.Me ben cudi,qe edhe kjo foto qe ke vendosur ketu,sot, tregon mosbesim,dyshim,pasiguri,ne rastin me te mire.Pra portret I qarte I pesimizmit,njelloj si tersi I fshatit Pojan.

  2. I nderuari shqiptar,supozimi juaj,eshte shume I vlefshem per autorin e shkrimit,portreti I te cilit shpreh shqetesimin tend.Nderkohe ju bej te ditur se deri ne moshen time,kam patur shume kohe te zgjidh hallet,qe natyrisht kane njerezit ne pergjithesi.Ndersa Skenderin,nuk kam patur rast ta njoh nga afer,por vetem nga shkrimet e tij.Ne pergjithesi,nuk paragjykoj njeri dhe nuk krijoj opinion.Komentet perpiqem t’i bazoj vetem nga permbajtja e asaj qe lexoj.Ju falenderoj,per kujdesin.

    • @Milena.Me vjen keq por ti vetem ne permbajtje qe nuk i bazon komentet.Komenton me mllef ndaj Opinionistit me te mire Shqiptar qe eshte z.Skender Minxhozi.

PËRGJIGJU