Pushtete dhe pushteti

Nga Artan Fuga

Shoqëria prej mijra vjetësh është ndërtuar prej shumë pushtetetesh, ku pushteti politik ka qenë vetëm njeri prej tyre. Jo vetëm në vendet më të mëdha të Europës, por edhe në Shqipërinë historike.

Pushteti i mbretit, a kryeministrit, Perandorit, madje edhe i Padishahut të madh nuk hynte e ndërhynte lehtë në pushtetet e tjera. Edhe Padishahu i madh ishte detyruar të pranonte ekzistencën e Kanunit, të Kishës ortodokse, të katolikëve, edhe pashallarët shqiptarë.

Ishte i detyruar ta përmblidhte pakëz veten.

Kjo bënte që njerëzit të mos vareshin nga pushteti politik edhe për bukën e gojës, edhe për punë, edhe për të mbjell rrush dhe për të ndërzyer bullicat, edhe për ilaçet.

Ishin më dinjitozë, më pak servilë ndaj pushtetit, më autonomë, më zotër të vetes. Edhe vetë pushteti politik ishte më i matur edhe më i mënçur sepse kishte përballë tij pushtete të tjera që nuk e linin të livadhiste, me një fjalë e mbanin brenda arsyes.

Por, ishte mirë edhe për shoqërinë sepse kur binte pushteti politik, shoqëria nuk rrëzohej sepse e mbanin pushtetet e tjera.

Ishte pushteti i babës në familje, ishte pushteti i klerikut në bashkësinë e besimtarëve, ishte pushteti i bajraktarit mbi klanin, ishte pushteti i fisnikut të krahinës, ishte pushtet i pronarit kur njeriu ishte i punësuar, ishte edhe pushteti politik.

Po tani?

Tani baba ka celësat e kashtës se nuk ka çfarë t’u japi trashëgim bijve, klerikun s’e pyet njeri se besimtarët kanë marrë rrugën e mosbesimit, burrat e mençur të krahinës janë zëvendësuar nga kryetarët e bashkive që dihet se çfarë autoriteti moral kanë mbi njerëzit, zero, pra nuk ka më pushtete të tjera.

Ka ngelur vetëm pushteti politik i qeverisë.

Nëpunësit nuk ka status të pavarur, i dridhen leqet mos e godet politika, pushteti administrativ ka rënë.
Gjykatësi varet nga politika sot e mot, nuk ka as pushtet gjyqësor të pavarur sikurse do të duhej.
Ekspertët janë militantët më servilë. Ju japin kopje në dorë dhe u thonë : Lexojini o ekspertë!
Edhe pushteti i ekspertit ka rënë në ujë.
Profesori ka celësat e kashtës. Ka fuqi vote sa edhe më i riu.
Ra edhe autoriteti i mësuesit dhe profesorit, lëre më ai akademikut që po e bëjnë leckë.
Pronarët e mëdhenj shtrijnë dorën te tenderat. Ku ka ekonomia pavarësi nga politika???
Median politika e vdes brenda dy ditësh. Ra edhe pushteti i pavarur i medias.

Ka ngelur vetëm pushteti politik.
Vetëm.
Në vetminë e tij.

Ky është ai që quhet tranzicion shqiptar që nga ’90 e këtej. Edhe sot keq e më keq.

E cfarë doni, ju që të mos i duket vetja si krijues i universit në gjashtë ditë pushtetit politik?

Mendoni se ai mund të mbahet dhe përmbahet!!!

Mendoni se Shqipëria mund të qendrojë në këmbë po u lëkund pushteti politik???

Binin Perandoritë po Shqipëria mbahej sepse e mbanin pushtetet të tjera.

Kjo është edhe forca e pushtetit politik: Po rashë unë ju zura brenda o të mjerë, prandaj kujdes!

Kishte dikur pushtet politik, por edhe individi kishte dinjitet sepse mbrohej pas pushtetesh të tjerë.

Tani shqiptari i vetmuar, halabak, neve pra, dhe pushteti politik për herë të parë në histori, prej mijra vjetësh, jemi përballë njeri tjetrit, vetëm, vetëm ai, vetëm Qenan K., individ si një krimb, dhe pushteti politik një Leviathan gjigand, një kafshë deti stërmadhe që e gëlltit.

Ne qytetarët mund të marrim fymë vetëm në një hapësirë të përthyer nga shumë pushtete, kurse kështu në shkretëtirë përballë sfinksit, gjithçka është e pamundur.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU