Punimet për hyrjen e Sarandës, Gjiknuri: Investimi përfundon brenda një muaji

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Kryebashkiakja Floriana Koka dhe deputeti i zonës Alket Hyseni, inspektoi fazën përfundimtare të punimeve që Autoriteti Rrugor Shqiptar po kryen në hyrjen e qytetit të Sarandës.

Projekti parashikon rikonstruksionin e aksit rrugor Ura e Gajdarit deri në hyrje të qytetit të Sarandës dhe ka vlerën financiare 280 milion lekë të reja. Aktualisht ka përfunduar edhe asfaltimi dhe është hapur qarkullimi i lirë për mjetet.

“Jemi këtu në rrugën hyrëse të Sarandës, një  vepër kaq e rëndësishme që zgjidhi një problem shumë vjeçar për qytetin. Një vepër e financuar nga qeveria shqiptare e cila tashmë është e hapur për lëvizjen e trafikut me të gjitha parametrat. Besoj brenda një muaji siç edhe nga komunikimet e fundit që kam bashkë me Autoritetin Rrugor dhe me kompaninë zbatuese, kjo rrugë do të jetë plotësisht e përfunduar me sinjalistikën përkatëse dhe me të gjithë veprat që i përkasin”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Punimet për këtë investim në infrastrukturën e qytetit bregdetar nisën në muajin Gusht të vitit të kaluar. Brenda një muaji parashikohet që të përfundojnë edhe trotuaret dhe sinjalistika përkatëse e këtij segmenti.  

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU