Punësimi i ekselentëve, thirrja e dytë në muajt gusht-shtator

Aplikimi që nis prej ditës së sotme në platformën e punësimit të studentëve ekselentë në administratën shtetërore, do të zgjatë një muaj deri në 10 shkurt. Studentët duhet të jenë të vëmendshëm për afatet e secilës shpallje për vende të lira pune dhe të aplikojnë.

Në paraqitjen e sotme të programit të punësimit të ekselentëve, kryeministri Edi Rama ftoi të rinjtë të aplikojnë, duke theksuar se nëse shohin se diçka nuk shkon, t’i drejtohen platformës “shqipëriaqëduam.al”për të marrë zgjidhje.

Megjithatë, u shpreh ai, duke u nisur nga përvoja e platformës elektronike të pranimit në universitete ku për këtë vit ka pasur zero ankesa, edhe platforma e punësimit pritet të funksionojë po aq mirë.

Në përgjigje të pyetjes së një studenteje, kryeministri vuri në dukje se edhe studentët që mbarojnë studimet këtë vit akademik kanë shansin e tyre, pasi thirrja e dytë e aplikimeve për punësim në platformë do të jetë në muajt gusht-shtator.

“Do shtrihemi edhe në institucione të tjera jashtë shërbimit civil. Aktualisht po bëjmë inventarin e vendeve të lira të punës për t’ua ofruar studentëve. Do shkojmë edhe më thellë se kaq. E kam urryer gjithmonë politikën e përdorimit të vendeve të punës për vota, pasi është gjëja më e keqe për vendin se nuk të lë të bësh shtet. Shumëkush që është në punë pa meritë, e pa diplomë, do të duhet të hapë krahun nëse ka kërkesa nga ata që janë më të mirët. E kjo fillon sot”, tha kryeministri Rama.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU