Pse Shqipëria nuk e mbushi dot hapësirën e taksës së Kosovës?!

Nga Ben Andoni

Ndërkohë që të gjithë aktorët politikë, aleatët ndërkombëtarë dhe grupet e interesit po gjykojnë e përflasin taksën doganore prej 100% vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, një pyetje që të shkon ndërmend është se pse Shqipëria nuk mundi ta mbushë dot hapësirën, që la pas kjo masë drastike. Më shumë akoma, gjëja që të vjen më qartë është se pse masa të tilla ose parashikime nuk u patën parasysh në axhendat e mbledhjeve të përbashkëta, të cilat përfundojnë gjithnjë “suksesshëm”.

Në rend parimor, Shqipëria si vend anëtar i CEFTA-s, nuk duhet të synojë interesin dhe përfitimin e tregjeve, në rastet e problemeve që kanë shtetet e tjera mes tyre. Por, në rastin e dy vendeve tona, ky fakt bie poshtë de facto sepse Shqipëria dhe Kosova vazhdimisht referojnë për marrëveshje dhe përpjekje të krijimit të mundësive që dy tregjet tona të kenë lehtësira.

Duke iu referuar të dhënave të vitit 2017, Kosova importoi 449 milionë euro mallra nga Serbia, kurse tre herë më pak nga Shqipëria, pra vetëm 151 milionë euro. E nga Maqedonia importohej pak më shumë sesa nga vendi ynë! Ndërkohë që për eksportet, Kosova ka pasur të dhëna më të mira me Shqipërinë sesa me Serbinë, por me defiçit tregtar shumë të madh me këtë të fundit.

Zhvillimet e fundit po referojnë se sot në Kosovë duhet të bëhet një analizë dhe të mendohet nëse është arritur apo jo rezultati i taksës dhe si do të jetë realisht e ardhmja. A është dëmtuar realisht Kosova? Apo mjafton dëmi që i është bërë deri më tani Serbisë.

Kosova, paçka pretendimeve të kryeministrit Haradinaj, po humbet shumë përballë angazhimit të faktorit diplomatik amerikan, që po investohet që kjo taksë duhet të hiqet dhe të gjendet një zgjidhje emergjente ku ajo të pezullohet për një kohë dhe të arrihet një marrëveshje me Beogradin zyrtar. Një ide që e mbështet dhe PDK, partia kryesore në Kosovë, në koalicion me formacionin e kryeministrit Haradinaj.

Për pak muaj do të dalin rezultatet e vendosjes së taksës dhe përfitimet e vendeve fqinje me Kosovën, ku duket se Maqedonia dhe Mali i Zi nuk kanë humbur kohë për të mbushur boshllëkun, paçka moralitetit të anëtarësimit në CEFTA. Madje, nga Maqedonia ka referenca se mallrat serbe ripaketohen për t’u importuar nga Kosova.

Për fat të keq, Shqipëria me strukturën e prodhimeve të veta, por edhe moskonkludimin si duhet të orientimit të saj të prodhimit me Kosovën nuk është se po ndien ndonjë ndryshim. Aq më shumë Prishtina zyrtare. Nga ana tjetër, modeli ekonomik shqiptar e ka të pamundur të rikuperojë veten e vet dhe jo të mundësojë fuqi plotësuese dhe të bëhet faktor, të mbushë boshllëkun që po lënë importet serbe në Kosovë. Më shumë akoma, Shqipëria premtoi dikur që Kosova do të kishte portin e saj Shëngjinin, kurse tashti ka deklaruar për Durrësin, por këto masa nuk duket se kanë ndonjë impakt aq të madh për Prishtinën sa ishte premtuar. Kjo për shkak se funksionalizimi i ideve ka nevojë për një infrastrukturë ligjore dhe predispozitë reale në terren sesa fjalë të bukura.

Cilado që të jetë rruga e z.Haradinaj, Shqipëria është krejt e papërgatitur që të funksionojë me Kosovën dhe ky duhet të jetë shqetësimi i kryeministrave tanë, por edhe motivet e takimeve të qeverive të tyre, që tashmë me mungesën e efikasitetit të duhur, nuk duken më as si propagandistike. (Javanews)

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU