Pse po reshtin kudo partitë tradicionale shqiptare?!

Nga Ben Andoni

Partia Socialiste është duke e mbajtur pushtetin e vetme, përballë një opozite aspak dashamire. Lufta e paekuivoke e kësaj të fundit kërkon thjesht pushtetin, por në një mënyrë aspak “tradicionale” për kushtet e vendit. Me lënien e mandatave, Opozita po kërkon që me anë të një presioni të jashtëzakonshëm, mbushur me slogane ku populli zë vendin kryesor, të krijojë kushtet e mundshme që Pozita të dorëzohet. Duket se tonalitetet e larta, që mbahen nga dy krahët jo thjesht i kanë larguar nga njëri-tjetri, porse duket se nuk ka asnjë gjasë që të krijojë përafrim për zgjidhje dhe normalitet. Situata është rënduar pasi Opozita momentalisht nuk i njeh më as apelet, të cilat drejtohen nga faktori ndërkombëtar. Këto të fundit janë institucionalizuar me ardhjen e delegacionit të Euro-parlamentarëve, porse duket se në ditët në vazhdim do të shtohen me presione të tjera, që patjetër do të kulmojnë me një zgjidhje.

E veçanta në të gjithë këtë histori është se PS-ja dhe PD-ja kanë rënie të numrave të tyre, por më shumë se kaq humbjen e shpresës prej komuniteteve të tyre. Dërrmën këto parti e kanë marrë nga braktisja e ideologjive e tyre dhe mbushja e sloganeve me terma populistë, që janë krejt larg orientimit të këtyre partive. Ndaj shqiptarët ikin dhe do të ikin në masë.

Partia Socialiste, prej vitesh, po shkon përtej logjikës së saj, pasi e ka braktisur ideologjinë e Majtë dhe i drejtohet publikut me një politike krejt të Djathtë, duke habitur së pari vetë zyrtarët e saj dhe pushtetin e saj kapilar. Partia Demokratike shkoi më keq kur vazhdon të drejtohet me politika të Majta ndaj komuniteteve, duke treguar se mbetet parti tejet zhgënjyese dhe pa vizion. Paçka mënyrës sesi kanë drejtuar, të dy partitë, janë shumë larg premtimeve të tyre.

Në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, që ka qenë partia që ka dominuar skenën politike për shumë vjet, gjendet në një situatë të rëndë dhe në bjerrje të vazhdueshme. Akoma më të vështirë po ia bën punën presioni i Ramush Haradinajt dhe sidomos mosreagimi i tij prej sfidave, por edhe thirrjes së Veselit, kryetarit të saj, për shmangien pjesërisht të taksave. PDK-ja jo thjesht po e shfaq dobësinë përballë Haradinajt, por ajo është zvetënuar para publikut të saj, pasi mban në kurriz dhe trashëgiminë e madhe të presidentit Thaçi dhe të gjithë investimin e tij për normalitetin me Serbinë. Për fat të keq të saj, edhe PDK duket se ka marrë një rrugë pa kthim drejt bjerrjes, sepse zhgënjimin më të madh ia ka dhënë njerëzve me qenien e saj të gjatë në pushtet dhe drejtimin tejet të dobët dhe asfare transparent.

BDI në Maqedoni mbetet çelësi i çdo Qeverie në vend, por imazhi i saj ka rënë falë bashkëpunimit me figurat më të hidhura në shtetin fqinj, por edhe mungesën e konsekuencës së anëtarëve të saj në pushtet. Në Maqedoni shpesh kjo parti identifikohet me pjesën më regresive në vend dhe goditjen e fundit e mori kur u vu përpallë forcës tjetër të shqiptarëve BESA.

Ajo që e bashkon rënien e partive të njohura shqiptare, kudo në rajon, është se kanë humbur lidhjen me bazën dhe më shumë akoma kanë shmangur realisht ideologjinë, që përfaqësojnë, dhe mbi të gjitha komunitetet që i kanë zgjedhur. Kjo është edhe arsyeja e parë por edhe e fundit që i bashkon partitë shqiptare në rajon dhe që po shënon fillimin e vizatimit të konjukturave të re politike. Po se kur do të ndodhin ndryshimet, duhet të presim, sepse ndryshimet në Ballkan ndodhin ngadalë dhe pa paparashikim. Kjo e bën PD-në dhe PS-në të bëjnë deklarata absurde në Shqipëri, PDK-në në Kosovë të artikulojë gjëra të paqarta, kurse BDI-në shpesh të kthehet në patericë për pushtetin në fuqi në Maqedoni…thjesht për të ekzistuar. (Javanews)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU