Pse nuk na duhet një “Fortesë” Evropë

Nga Luço Karaçolo

Evropa ka shpërfaqur shumë herë përgjatë historisë një vokacion ndaj vetëvrasjes. Sot, që proçesi i shpërbërjës së projektit komunitar gjendet në një fazë akute, dhe ndërsa de-globalizimi i planetit, mes proteksionizmit dhe partikularizmave, përparon me një rritëm të shpejtë, tundimi për t’u mbyllur ndaj botës me qëllim mbrojtjen nga terrorizmi është i pafalshëm.

Për të paktën tre arsye. Së pari, ngujimi brenda Fortesës Evropë nuk është i mundur. Së dyti, edhe po të qe, nuk do të ndihmonte për të na garantuar nga kërcënimi i sulmeve terroriste. Së treti, kjo është pikërisht ajo që duan armiqtë tanë, dhe s’ka asnjë arsye pse duhet të ndjekim axhendën e atyre që duan të na shkatërrojnë. Le të shohim faktet.

Masakra e tmerrshme e Berlinit, në një konvergjencë kohore me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara, tashmë është duke provokuar dhe do të shkaktojë pasoja të një rëndësie të veçantë. Të gjitha konvergojnë drejt reagimit fobik ndaj emigrantëve, dhe të huajve në përgjithësi. Dhe kundër establishmentit që i mbron ata.

Një krizë kjo edhe më akute, për shkak se goditi qendrën e vendit aktualisht dominues në Evropë, ndër të tjera në prag të një viti vendimtar zgjedhor. Angela Merkel hapi në shtator të vitit të shkuar dyert për refugjatët sirianë, me gjestin e papritur dhe kurajoz (kritikët e cilësojnë si të dalldisur), vetëm sa për të korrigjuar veten menjëherë, duke kërkuar dhe marrë nga presidenti-sulltan i Ankarasë, Rexhep Taip Erdogan, bllokimin në front – në kufirin turko-grek – të rrjedhës së qindra mijëra emigrantëve që synojnë të shkojnë në Gjermani.

Rezultati:shtysa migratore drejt Evropës vazhdon. Për të dëshmuar se valët migratore, veçanërisht nëse ushqehen nga luftërat, nuk mund të bllokohen. Dhe kufijtë mbeten gjithësesi pak a shumë porozë. Gjermania, e cila së bashku me 4 vende të tjera (Belgjika, Danimarka, Hungaria, Austria) mban sot në fuqi rregjimin e kontrolleve kufitare, dhe pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjeve të Shengenit, nuk u provua më shumë e sigurtë ndaj sulmeve terroriste.

Shumica e atentatorëve që kanë goditur Evropën gjatë viteve të fundit, kanë ardhur nga trupi i shoqërive tona gjithnjë e anomike. Të rinj, ndonjëherë edhe adoleshentë, në shkëputje me Islamin e prindërve dhe gjyshërve të tyre, të kapur nga ideologjitë apokaliptike të xhihadizmit. Por t’u eksituar edhe kundër refugjatëve të luftës, të akuzuar nga “Kalifati” si dezertorë  të frontit të luftës, për t’u strehuar në shtëpinë e armikut.

Virusi qarkullon tashmë në qytetet dhe fshatrat tanë. Dhe është pikërisht atje ku duhet identifikuar, rrethuar dhe goditur me një vendosmëri të zgjuar. As ata që i prodhuan dhe i hodhën në veprim, nuk i kanë më nën kontroll. Pranimi i tezës së përballë barbarive të tilla duhen rrethuar dhe fundosur anijet e ngarkuara me emigrantë, duke krijuar iluzionin e goditjes së terroristëve, vetëm sa do të shumëfishonte kërcënimet ndaj asaj që mbetet nga vlerat tona.

As Gjermania nuk do të jetë e imunizuar nga joshja ndaj së djathtës radikale. Dhe tashmë nuk është. Në fund, rezultati strategjik i Fortesës Evropë, ashtu si çdo lloj strategjie tjetër e muranave, do të jetë mbytja me vetë duart tona.

Terroristët nuk kanë forcën dhe as kredibilitetin për të na shkatërruar. Qëllimi i tyre nuk është të na pushtojnë – janë mjaftueshëm realistë për të konstatuar se nuk zotërojnë burimet e nevojshme – për të na kërcënuar nga brenda. Duke i shndërruar vendet tona në territore plot vrima, të shenjuara nga geto dhe vrima të zeza, popullata lokale të zemëruara dhe emigrantë që sfidojnë njeri-tjetrin jo vetëm me fjalë. Pasi revolta kundër establishmentit, përgjegjës për shpërfilljen e të drejtave të klasës së mesme- të ulët, e cila në Perëndim është prodhuar deri më tani mbi të gjitha në votime, ka të ngjarë të evoluojë në një konflikt social dhe protestash në sheshe kundër emigrantëve. Të perceptuar si terroristë potencialë.

Raundi final, do të zhvillohej mes racistëve që prezantohen si mbrojtësit e “pastërtisë” tonë, dhe grupeve të radikalizuara islamike. Në atë pikë, do të kemi mbyllur rrethin e vetëlëndimit. Për të tretën herë në një shekull.  /“La Repubblica”/bota.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU