Pse e kërkon Ilir Meta kokën e Saimir Tahirit

Nga Andi Malasi/

 

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është vënë në qendër të akuzave nga ana e zyrtarëve më të lartë të partisë së dytë të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga shprehja e pakënaqësive dhe gjuha e kujdesshme, por me kritika, tashmë LSI ka dalë hapur kundër ministrit Tahiri, duke shpërthyer në akuza mjaft të rënda.

Prej kohësh Tahiri dhe Rama akuzoheshin nga Partia Demokratike se po mbronin të shpallurin në kërkim për trafik droge Klement Balili, ish-drejtor i Rrugëve në Sarandë i emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Pas debateve politike por edhe proceduriale midis institucioneve se kush e pengoi arrestimin e Balilit, kreu i LSI Ilir Meta i kërkoi Presidentit Nishani mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një veprim ky që u cilësua një ditë më parë nga Tahiri si shumë i çuditshëm. Por Tahiri nuk përmendi fare aleatin Meta, por presidentin, të cilit i kujtoi se nuk e mblodhi këshillin për Lazaratin.

Përgjigja e ‘butë’ e Vasilit se Metës “ia kërkoi SHBA të lëvizte për këtë çështje”, pasoi me sulme të hapura ndaj Tahirit në orët në vijim. Fillimisht ishte ministri i LSI Lefter Koka i cili duke akuzuar kryebashkiakun socialist të Durrësit për mënyrën e drejtimit të bashkisë, ‘goditi’ tjetërkund edhe më rëndë. Ai tha se në qytetin e Durrësit “policia merr urdhra nga krimi” dhe se “zgjedhjet janë në rrezik” nga krimi, akuza këto të njëjta me ato të Partisë Demokratike.

Pas këtyre deklaratave, në media u përhap një tjetër lajm me qëllim, për një mbledhje të zhvilluar dy muaj më parë mes kreut të grupit të deputetëve të LSI Petrit Vasili, ligjvënësve të tjerë të kësaj force dhe kryebashkiakëve të LSI-së. Në atë mbledhje sipas raportimeve, Vasili kishte porositur deputetët dhe kryebashkiakët të jenë të kujdesshëm pasi policia është urdhëruar të fusë drogë në mjetet e tyre, për t’i implikuar në akuza të rënda.

Ky lajm u konfirmua me burime brenda LSI-së, ndërsa ajo që ra në sy është fakti se pse lajmi u përhap me qëllim pikërisht ditën e djeshme, kur Tahiri dhe policia ishin vënë në qendër të akuzave për rastin ‘Balili’.

A ishte i koordinuar sulmi i LSI-së ndaj Tahirit dhe pse pikërisht tani? Përgjigja e kësaj pyetjeje, përballë fakteve të mësipërme, duket të jetë një “Po” e madhe. LSI ka nisur një sulm në stil të gjerë kundër Saimir Tahirit. Mesa duket, afrimi i zgjedhjeve dhe pesha që ministria e brendshme ka në pocesin elektoral, i shtojnë edhe më shumë agresivitet partisë së Metës. Kjo rrethanë e bën edhe më të dukshëm inatin e hershëm të Ilir Metës ndaj ministrit socialist, të cilin mesa duket ai e sheh si një faktor destabilizues për veten e tij dhe LSI në shkallë kombëtare.

E pakuptimtë në këtë mes është që të akuzohet Saimiri Tahiri për mbrojtjen e Balilit, i cili siç dihet u emërua drejtor nga LSI, detaj të cilin kjo parti nuk ka dëshirë ta përmendë askund.

Ministria e brendshme është një sektor të cilin Meta ka synuar ta ketë të tijin qysh në fillim të këtij mandati qeverisës. Acarimi ndaj Saimir Tahirit pasqyron mërinë që ka shkaktuar ky objektiv i munguar tek Meta, ashtu siç është produkt i afrimit të zgjedhjeve të 18 qershorit. Dhe Ilir Meta, njeriu që i di mirë skutat dhe sekretet e një procesi elektoral, e di që atë ditë policia shqiptare ka zakonisht një rol jo të vogël në mënyrën sesi shkon fati i votave. Nga ana tjetër nuk duhet harruar fakti që çdo goditje ndaj ministrave të Ramës, është një sinjal edhe për vetë kryeministrin. Meta nuk e duron dot afrimin e PS me PDIU. Duket qartë se kjo aleancë po acaron shume nerva brenda selisë së “aleatit të mesit”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU