Pse duhet t’i kushtojmë sot kujdes turmave në sport?!

Nga Ben Andoni

Që kur është botuar në shqip, “Revolta e turmave” kryevepra e José Ortega y Gasset është cituar shpesh dhe artikullshkrues të ndryshëm janë munduar të gjejnë paralelizmat, që e lidhin me realitetin shqiptar. Shpesh cituar gabimisht, ai më shumë ka qenë ushqim për argumentin kundër turmave dhe jo realisht për mënyrën sesi sillet turma e sotme shqiptare.

Shqipëria përbën një laborator të mirë social për shkak të kalimit të saj në një sistem tjetër ekonomiko-shoqëror por edhe faktit që masat urbane sot, nën mungesën e organizimeve specifike, kanë sjellje disi të kufizuara. Më ‘të pranueshmet’ ose të zakonshmet janë ato të militantëve, që njësoj si në kohën e komunizmit dinë të votojnë thjesht e vetëm për një forcë politike dhe ngrihen dhe reagojnë kur preken partitë e tyre.

Por çfarë konsiderohet saktësisht një turmë? Wikipedia pohon se ajo është “një grup i madh dhe i përcaktueshëm i njerëzve”, duke nënvizuar edhe faktin se është një koncept tjetër ndryshe nga hordhi (në anglisht është mob dhe është afër kuptimit të turmës së nivelit të ulët). Ndërkohë që kemi dhe konceptin masë, por që në fakt shpesh ngatërrohet me kategoritë e mëparshme. Në fakt, koncepti sociologjik i kësaj kategorie ka ndryshuar me kalimin e kohës. Libri i Gasset është një nga kontributet më interesante sesi sillet realisht masa ose turma e njerëzve.

Në Shqipëri e vetmja turmë që ka njëfarë idealizmi por edhe ka një specifikë shumë të veçantë është tifozeria e sportit. Më e spikatur në derbin kryeqytetas, ku ndeshja Partizani-Tirana, nuk është më thjesht ndeshje futbolli, por edhe arena ku përplasen mendimet e dy grupimeve sociale-kulturore në kryeqytet. Partizani me simbolikën themelore Guerrils mban mbi vete trashëgiminë e madhe të Antifashizmit, por edhe luftës; kurse Tirana mban mbi vete të gjitha sloganet që lidhen me antikomunizmin. Rivaliteti është aq absurd, sa ka shkuar që ndaj njëra-tjetrës të përdoren edhe elementë anti-semitikë, kur tifozët e Tiranës, në një parullë të kohëve më parë thoshin se do t’i çonin në Aushvic, pa rënë më pas njerëzit e Partizanit, që do u përgjigjeshin me slogane edhe më fyese, duke i identifikuar me minj.

Çuditërisht sjelljet e tifozerive të tyre ende nuk janë mënyrë vëzhgimi e analistëve dhe studiuesve socialë, pasi këto grupime nuk vlerësohen për mesazhet por thjesht si grumbullime, që bëjnë një diferencë vetëm në kohë ndeshjesh. Në fakt, këto tifozeri janë aktive kurdoherë dhe sillen si të tilla, duke krijuar mënyra jetese.

Disa studime realizuar nga  Arms et al., 1979 dhe Russell, 1981 vërejnë se cilësia  dhe angazhimi i spektatorëve përkeqësohet shumë në vend gjatë një ngjarje sportive dhe këtë ata e vunë re në sportet me karakter luftarak, ku futbolli për shkak të forcës e luan këtë rol, për të ngjizur grupime të tilla. I njëjti studiues Russell referoi dhe për kushtet kur bëhet kjo ndërhyrje.

Për Shqipërinë ka ardhur koha ta shikojë me kujdes sjelljen e grupimeve në sport por edhe të kuptojë mesazhet që derdhen në stadiume dhe të cilat përbëjnë kampione për një laborator, nga ku mund të shihet sjellja e turmave të sotme.

***

Ortega shkoi dhe më tej kur iu referua turmës, pasi ka kundërshtuar të ashtuquajturën “jetën fisnike dhe të zakonshme” të turmës duke nxjerrë egërsinë dhe primitivizmin që sheh te njeriu, pa iu referuar klasave specifike shoqërore, siç është keqkuptuar aq shpesh në botën angleze. Ortega në librin e tij interesant mendon se njeriu i zakonshëm mund të konsiderohet nga çdo sfond shoqëror, anipse objektivi i tij specifik është individi i arsimuar borgjez, subjekti që shpesh me sjelljen e tij ndikon në zhvillimet sociale. A ka paralele me sjelljen e turmës në ditët tona? Pa asnjë mëdyshje, shikimi dhe studimi i një ndeshje futbolli me tifozeri të ndërkryera është një laborator i mirë për të gjitha hamendësitë se ku po shkon sot masa (turma) e shqiptarëve të sotëm. (Homos Albanicus)

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU