Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat nga ambientet e Kuvendit, ka komentuar në emër të socialistëve, debatet në Komisionin e Medias.
Balla ka thënë se ishin 2/3 e deputetëve të Komisionit që kërkuan prezencën e Veliajt dhe Kumbaros në Komision. Balla ka paraqitur dokumentin e procedurës së Komisionit para gazetarëve.
Sipas Ballës, është e papranueshme që një parti politike të dërgojë në Komision deputetë të pajisur me vezë në xhepa për të sulmuar punonjësit e Gardës.
Balla tha se Balliu kishte vezë në pantollona.
“Sot konstatuam aktin e radhës së thyerjes së rregullores nga një person i propozuar nga PD-ja për të drejtuar Komisionin e Medias dhe Edukimit. Në mënyrë të përsëritur, Vokshi e ka kthyer këtë komision në një mjet personal. Dua të bëj publik dokumentin që 11 anëtarë të përhershëm kanë kërkuar praninë e Veliajt dhe Kumbaros. E falënderoj Veliajn që pranoi të merrte pjesë në Komision. Ka qenë kërkesë e 2/3 në Komision. Aktorët e SHQUP-it të pajisur me vezë. Klevis Balliu ishte armatosur me vezë në të gjithë xhepat e mundshëm të pantallonave. Salianji dhe Noka donin të dhunonin punonjësit e Gardës. I bëj thirrje PD-së dhe kryetarit Lulzim Basha të frenojë deputetët e tij nga këto akte të dhunshme. Po konsiderojmë nenet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e Vokshit”, tha Balla
Seanca dëgjimore lidhur me prishjen e Teatrit Kombëtar në Komisionin e Medias u shndërrua në kaos. Deputeti demokrat Flamur Noka është ngritur nga karrigia dhe ka tentuar të nxjerrë me forcë kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Menjëherë janë ngritur nga karriget deputetet Klevis Balliu, Ervin Salianji.
Vokshi ka kërkuar që Veliaj të largohet nga Komisioni, pasi është thirrur vetëm ministrja Mirela Kumbaro në seancë dëgjimore. Gjithashtu kryetarja e Komisionit kërkoi nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi që të nxjerri jashtë Veliajn.
Pas debateve Veliaj u largua nga Komisioni, ndërsa pasi lanë mbledhjen edhe ministrja Kumbaro dhe deputetet e PS.
a.ç