Prova e forcës që dobësoi opozitën

Nga Carlo Bollino/ 

E vetmja gjë për të cilën Lulzim Basha nuk gënjeu, ishte vendimi për të bërë një protestë paqësore: imazhet e transmetuara nga Report TV, që tregojnë një kordon militantësh të PD të përqafuar njeri me tjetrin dhe të vendosur për “të mbrojtur” kordonin e policëve (të paarmatosur) të rreshtuar përpara Kryeministrisë, pikërisht për të shmangur përleshje, janë provë e asaj se, të paktën për këtë, Basha ishte i sinqertë.

Sa për gjërat e tjera, ai gënjeu për gjithshka, duke nisur nga pjesëmarrja. Shifra prej 600 mijë pjesëmarrësish, e përmendur fillimisht nga Sali Berisha dhe pastaj nga Basha vetë, thjesht është qesharake: Siç tregojnë pamjet e dronit të transmetuara nga Report TV dhe të krahasuara me ato të regjistruara më 18 shkurt, tregojnë në mënyrë të padiskutueshme se pjesamërrja ishte shumë herë më e paktë se ajo që arriti opozita tre muaj më parë.

Në qoftë se qëllimi i protestës së 13 majit ishte ai që të tregonte nivelin e konsensusit ndaj opozitës pas tre muajsh proteste pa kompromis, përgjigja e dhënë nga populli ishte e qartë: Konsensusi për Bashën, Berishën dhe PD-në ka rënë në mënyrë drastike. Sipas vlerësimeve realiste, thirrjes për protestë këtë herë i janë përgjigjur, nga 7 mijë deri në 10 mijë vetë, por më befasuese është që, sikurse tregojnë pamjet nga ajri, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ka qendruar gjatë gjithë kohës përgjatë bulevardit, mjaft larg nga çadra ku mbaheshin fjalimet politike, duke përfshirë edhe atë të Lulzim Bashës. Një tjetër sinjal i rëndë ky i shkëputjes mes lidershipit të partisë dhe bazës së saj, e cila, megjithëse e sjellë me autobuzë deri në Tiranë, parapëlqeu të shfrytëzojë një ditë me diell për të shëtitur në bulevardin e kryeqytetit, sesa të tregonte mbështetje dhe pjesëmarrje të vërtetë politike për liderin e vet.

Shifra shumë e ulët e pjesëmarrësve neutralizon kështu edhe armën e fundit, që deri tani ka vazhduar të vringëllijë Basha, domethënë mosbindjen civile: Që të jenë efikase rezistenca paqësore dhe mosbindja civile, në fakt, duhet që të kesh në anën tënde qindra mijëra mbështetës të vendosur dhe jo ca mijëra militantë, të paguar 2 mijë lekë për kokë, që të dalin për gjysëm dite në shesh.

Përtej deklaratave të zakonshme trimfuese të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në fund të protestës, e cila, sipas kërcënimeve të një dite më parë, duhej të kishte ndryshuar drejtimin e Republikës, por që në të vërtetë përfundoi pas gati 90 minutash pa ndryshuar absolutisht asgjë, protesta e 13 majit ishte politikisht një dështim. Duket si test atomike e diktatorit koreanoverior Kim Jong-un për të sfiduar Shtetet e Bashkuara si fuqi bërthamore, që shpesh përfundoi me raketën e shpërthyer në ajër 30 sekonda më pas, për difektin e radhës të konstruksionit. Problemi është se kur një akt force kthehet në provën e radhës të dobësisë, ka ardhur koha të ulësh kokën dhe të ulesh në negociata. Do ta kuptojë këtë Lulzim Basha?

Rasti i fundit për ta treguar këtë mund të jetë të hënën, kur pritet të mbërrijë në Tiranë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, diplomati i fundit ndër perëndimorët, ende i gatshëm ta dëgjojë. Siç ka ndodhur me negociatorët evropianë, edhe këtë herë Basha do të kishte vetëm dy opsione në dorë: Të marrë pjesë në zgjedhje, duke pranuar kompromisin që do t’i ofrohej (padyshim disa herë më pak i favorshëm sa ai i McAllister-it), apo do të këmbëngulë në refuzim, duke mbetur i mbyllur në delirin e tij që e ka izoluar, jo vetëm nga gjithë bota perëndimore, por tanimë edhe nga vetë elektorati i tij.

Në fakt, shumë burime përjashtojnë çdo mundësi kompromisi, edhe pse tashmë janë tejkaluar, jo vetëm gjithë afatet teknike të përcaktuara nga Kodi (duke përfshirë printimin e skedave të votave), por edhe afatet politike të caktuara nga kryeministri Edi Rama që, deri tani, del fitues në këtë betejë. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia që, në rast se Lulzim Basha pranon të marrë pjesë në zgjedhje (një vendim që përsëri favorizon edhe Ramën), një zgjidhje teknike do të gjendet.

Sidoqë të shkojë puna dhe cilado qoftë rruga që do të vendosin të ndjekin, Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë humbur: Kjo, pasi, në rast se do të zgjedhin më së fundi, të marrin pjesë në zgjedhje, duhet ta bëjnë këtë duke pranuar kushte që deri dje vetë ata i quanin si të papranueshme (në politikë nuk do të duhej të thoje asnjëherë kurrë). Dhe, nëse, në të kundërt, do të këmbëngulin të refuzojnë, këtë herë duhet të kenë guximin ta bëjnë këtë jo përballë një të dërguari evropian, por përballë Departamentit amerikan të Shtetit. Asnjë nuk beson më në legjendën e zgjedhjeve të lira e demokratike: Basha dhe Berishë, në të vërtetë, po luftojnë kundër vettingut, ose kjo është ajo për çka tashmë besojnë të gjithë, me në krye Shtetet e Bashkuara. SHBA kanë qenë të parët që u angazhuan për reformën e drejtësisë në Shqipëri dhe që njoftuan publikisht një listë të zezë për këdo që i kundërvihej asaj. Protesta e 13 majit bëri të dukshëm faktin që beteja e cila po zhvillohet, nuk i përket elektoratit të PD-së, por vetëm udhëheqjes së saj.

Udhëheqje, e cila, pas dështimit të 13 majit, është tmerrësisht e dobët për të vazhduar të bëjë rezistencë kundër të gjithëve. Ja pse të hënën Basha dhe Berisha do të ishin përballë një udhëkryqi vendimtar: të pranojnë dorëzimin, apo fundin e tyre politik. Dhe, për t’i shpëtuar, nuk do t’u mjaftonte të vazhdojnë të prodhojnë male me gënjeshtra e shpifje, nën të cilat prej kohësh tashmë kanë varrosur besueshmërinë e tyre personale.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU