Protestuesit bllokojnë rrugën, Haradinaj nuk lejon Vuçiçin të vizitojë Drenicën

Vizita e Presidentit serb , Aleksander Vucic në Kosovë është shoqëruar me protesta dhe tensione.

Mësohet se Vuçiç, nuk do të vizitojë fshatin Banjë të Skenderajt, pasi  kryeministri Haradinaj ka tërhequr lejen që presidenti serb të vizitojë këtë fshat të Drenicës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sapo ka njoftuar se ka tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës për vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në zonën e Drenicës.

Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar Haradinaj.

Anulimi i vizitës ka ardhur pasi protestuesit kanë bllokuar dy rrugë kryesore nga Mitrovica për në Skenderaj, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në fshatin Banjë.

Protestës së thirrur nga Shoqatat  e dala nga lufta e UÇK-së, i janë bashkangjitur qytetarët dhe kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili ka thënë se presidenti serb nuk mund ta vizitojë Drenicën, derisa të kërkojë falje për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan Telegrafi.

Presidenti i Serbisë mëngjesin e sotëm ka vizituar Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë. Vuçiq, duke folur për protestën dhe bllokadën e rrugëve në Drenicë, tha se gjërat duhet të zgjidhen me fjalë.

“Unë jam duke u angazhuar fuqimisht në ruajtjen e paqes ndërmjet popullit të Kosovës dhe Serbisë. Gjërat duhet të adresohen me fjalë dhe me mendje, jo me mjete të ndryshme dhe armë”, tha Vuçiç.

a.ç

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU