Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagon lidhur me banorët protestues të Unazës së Re të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe.
Ai tha se vetëm kur të zhbllokohet rrethrrotullimi “Shqiponja”, Tirana do marrë më në fund frymë.
Lidhur me tentativën e protestuesve për të hyrë me forcë ditën e sotme në Bashkinë e Tiranës, ai tha se “disa deputetë shpellarë tentuan të shqyejnë derën”.
Ai tha se do tu ofrojë 3 vjet qera falas të gjithë banorëve që nuk kanë asnjë llojë dokumenti, ndryshe nga vitet e mëparshme ku bonusi i qerasë ka qenë 2 vjet.
“Sot në Tiranë vetëm 1 hot spot është. Nga fabrika e miellit deri tek Shqiponja une kam qenë në fushatë. Njerëzit thonë: kur të zhbllokohet rrethrrotullimi tek Shqiponja, atëherë do marrë frymë Tirana. E kemi gjetur Tiranën me 21 hotspote, u bë dhe trafiku mullar. Sot ka ngelur vetëm 1, vetëm një. Po çfarë, do mbetemi në ‘epokën e gurit’? pse, se disa njerëz që kanë zaptuar aty nuk pranojnë kompensimin që po u japim? S’ka shans!. Për të gjithë njerëzit që janë prekur do të kenë trajtim edhe më të mirë. Kemi ofruar tre vite qira, për ata që nuk kanë asnjë letër që kanë zaptuar tokën e dikujt tjetër në gjurmën e unazës.“
Veliaj akuzoi PD se është gati t’i lërë njerëzit në primitivitet vetëm për disa vota. Ai u beri thirrje banoreve qe te mos perdoren nga kreu i PD, Lulzim Basha siç ndodhi me protesten e Kukesit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se qytetarët e kanë ditur që aty ishte gjurma ku do kalonte Unaza e madhe, pasi ka qenë projektuar që në vitin 1989 që në kohën e Adil Çarçanit.
“Dihej që në kohën e Adil Çarçanit, shumë prej jush keni lindur pas Adil Çarçanit, nuk e dini fare për kë po flas, por që në kohën e tij këtu kalon rruga, këtu është bulevardi, këtu është Lana, këtu është Liqeni. Ishin po të njëjtët njerëz”, u shpreh Veliaj. Ai tha se qytetarët dua që Unaza e madhe të zgjerohet dhe trafiku të çlirohet.
“Fatmirësisht shumica e qytetarëve do që unaza të bëhet. Mjafton të pyesni qytetarët që janë sot te Bulevardi i Ri dhe të shikoni çfarë mrekullie ka dalë bulevardi i ri për qytetin dhe si po zhvillohet Tirana aty. Ishte po e njëjta parti me këtë stilin shpellar, dhuno, prish, blloko, jo po s’duam, jo po mos e prek. Ja ku është sot bulevardi. Kush do dëshmi mjafton të bëjë rrugën nga TEG te Fabrika e Miellit për 3 minuta.
Pyesni njerëzit te Komuna e Parisit, pyesni njerëzit te Liqeni i Thatë, pyesni njerëzit në farkë dhe në Lundër, pyesni njerëzit që shkojnë në të gjithë pjesën juglindore të Shqipërisë për të dalë në Elbasan”, tha Veliaj.
Ai u shpreh i sigurt se në fund të këtij debati në fund do fitojë qyteti dhe civilizimi.
“A nuk ishte e njëjta skemë, një film që ne e kemi parë? Ne e kemi parë këtë film. Unë e kuptoj, ndodhi ky film për herë të parë sot dhe s’po e dimë, por ne e kemi parë këtë film dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit.
Ky film përfundon me fitoren e njerëzve të mirë, të drejtë që s’kanë zaptuar, që paguajnë taksat, që duan rendin, që respektojnë uniformën, që dinë të thonë faleminderit, që nuk shqyejnë se nuk vijnë nga shpellat po respektojnë qytetin, kodi ynë i përbashkët, stofi që na lidh me njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.
a.ç