Pronat e Himarës në përqafjen e Kreshnikut me Lulin

Nga Enkel Demi

Nikollaq Neranxi kishte paguar dikë t’i shkruante një parullë dhe së bashku me punëtorë të kompanisë së tij marshoi në bulevard. Nikollaqi ecte përpara si udhëheqës, punëtoria nga pas me gjithë parullën që e mbanin gjithë përtesë dhe keq. Ndoshta mund t’i ndëshkojnë, sepse nuk e bënë punën si duhet, meqë sipërmarrja nuk para pyet për bindje dhe ndjenja. Ky marshim është padyshim plagjaturë e parakalimit të para disa vjetëve të Kreshnik Spahiut në bulevard, atëherë kur Berisha kërkohej si i pandehur.

Neranxi mbërriti në “Çadrën e lirisë”, ku u mirëprit nga i zoti i shtëpisë, Lulzim Basha. Ky i fundit tha se në Republikën e Re pronat e Himarës nuk do të nëpërkëmben, por për fat jemi ende në Republikën e Vjetër. Në këtë republikë partia e Lulzim Bashës ka miratuar, zbatuar, madje ndëshkuar kundërshtarët e ligjit 7501. Këtë ligj, të cilin e propozoi Ramiz Alia, e votuan edhe deputetët e opozitës së parë shqiptare të pas vitit 1945. Asnjëherë pushteti i PD-së nuk pranoi të shfuqizonte këtë ligj dhe të zbatonte një reformë agrare, ku prona shkonte tek i zoti. Përrallat se kjo shkaktonte drama sociale janë të kota, sepse shteti në Shqipëri është pronari më i madh edhe sot e kësaj dite. PD-së i pëlqeu kaq shumë ky ligj, sa në vitin 1995 shpërndau me dhunë një grevë urie të ish-pronarëve, të cilët ishin strehuar në selinë e Partisë Republikane, në atë kohë në qeveri.

Pas 25 vjetësh të kasaphanës së këtij ligji ka një ndjesë publike të Sali Berishës, por asnjë fjalë në programin partiak të partisë së Lulzim Bashës që do na themelojë Republikën e Re.

E bëra gjithë këtë shpjegim për vetë kryetarin e PD-së, sepse ndoshta mosha nuk i lejon kujtesë të gjatë të historisë së afërt, megjithëse jam i sigurtë që pas do kohësh Luli do të dalë student i dhjetorit.

Në këtë këndvështrim pronat e Himarës nuk kanë asnjë ndryshim nga masakra që është bërë mbi pronat Tiranës, Shkodrës, Konispolit. Në Himarë ligji 7501 veproi njësoj i padrejtë si kudo në Shqipëri dhe solli këtë deformim të kapitalizmit që kemi sot. Është ky ligj kriminal që ka shkaktuar mbivendosje, grabitje pronash, vëllavrasje, prapambetje të theksuar ekonomike. Më mirë se kushdo Lulzim Bashës këtë mund t’ia shpjegojë fije për pe Fatmir Mediu.

Me këtë dua të them që Himara nuk ka asnjë status të veçantë, përkundrazi aty bëhet fjalë për prona që u “bie plani” për një interes publik, të cilave u është caktuar shuma kompesuese. “Garazhet” si i quan Edi Rama janë disa nga qindra pronat që kompesohen çdo vit nga qeveritë për interes publik. Këtë gjë ka bërë Lulzim Basha, kur ndërtohej Rruga e Kombit, kjo po ndodh sot me TAP-in.

Në këtë rast nuk ka një çështje të veçantë të pronave të Himarës, përveçse në agjendën e qeverisë greke, e cila e ka ngritur këtë çështje deri në Bruksel, madje kërcënoi me veto për integrimin e Shqipërisë. Megjithatë Athina ka dalë e zhgënjyer nga përgjigja që mori nga qeveria e Europës. Në projektin e saj shovinist, Greqia me këto prona do të justifikojë të famshmen autonomi të Himarës, mëtonjës i së cilës është Nikollaq Neranxi dhe ca të tjerë. Ndoshta Lulzim Basha mund të ketë intimitet me këtë formë qeverisjeje të Himarës pas takimit që kreu së bashku me Gent Strazimirin me ekstremistët e Vorio Epirit në Shtetet e Bashkuara. Nëse në Republikën e tij të Re, pronat e Himarës janë në plan për të shkuar tek autonomia, kjo Republikë ta shpif qysh sot, tek jemi ende tek Republika e Vjetër.

Besoj këtë mendim duhet të ketë edhe Kreshnik Spahiu, i cili ka gjasa të ndjehet shumëfish i tradhëtuar. Pas përqafimit me Neranxin, pronat e Himarës, Kreshniku duhet të marrë sërish qysqitë dhe të ruajë tokën, ashtu si dikur ruante detin që po e shiste, pikërisht një marrëveshje e Lulzim Bashës me Dora Bakojanis.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU