Prokurori, prostitutat dhe kapelja mbi kokë deputeti

Nga Lorenc Vangjeli

Fotografia e javës, edhe pa të enjten e Doktorit brenda, ka pasur feksje të befta. Eshtë kërcënuar apo jo Prokurori i Përgjithshëm? Ka bërë mirë njeriu i akuzës publike që ka vepruar në mënyrë “gjysëm private” për të mbrojtur familjen e tij? Ka prioritet zyrtari apo e drejta natyrore e një babai dhe bashkëshorti është pakufi? Këto dilema kanë mjaftuar që të shpërthejë një debat i nxehtë me palë të ndara në ekstrem dhe e vetmja gjë që i bën bashkë, është fakti se nuk kanë asgjë të përbashkët që t’i bëjë bashkë.

Garën mes opinionit dhe fakteve e ka fituar gjithmonë opinioni. Të gjithë nxitojnë të japin një të tillë, por pakkush ka fakte.

E njëjta histori e ndeshjes hierarkike mes opinionit dhe fakteve është edhe me ligjin e mbetjeve urbane. Gjithçka po ndodh ngjan me një Déjà vu, me një film tashmë të parë të paktën në formë, ndonëse palët pretendojnë se janë larg njëra-tjetrës edhe në përmbajtje. Debati që ka shpërthyer është ende në pozicionin dhe pjesën e fitilit. Ende nuk ka mbërritur në pjesën që do të plasë. Nëse një gjë e tillë do të jetë e fortë dhe e egër duhet pritur së paku deri të dielën për ta verifikuar. Atëherë kur opozita ka paralajmëruar se me shoqërinë civile do të protestojë në rrugë kundër vendimit të qeverisë për importin e mbetjeve. Duke tentuar që të krijojë të njëjtën situatë si në nëntorin e 2013-ës kur nën dritaret e zyrës së kryeministrit të ri Edi Rama, protestohej për ardhjen e armëve kimike të Sirisë në Tiranë, ndërsa në shoqëri tendosej debati i fortë me shkëmbim opinionesh, sepse faktet pakkush i dinte dhe pakkush jua vinte veshin dhe jua ndjente nevojën. Mban “erë” referendum: me gjasë askush nuk do të dalë as me opinion dhe as me fakte, kundër lejes që sovrani të shprehet me referendum për çështjen e mbetjeve. 50 mijë qytetarë dhe njëkohshëm me ta edhe një e pesta e deputetëve do të kërkojnë me siguri matematike rrëzimin me referendum të këtij ligji si një sprovë gjenerale për zgjedhjet e 2017-ës kur me siguri aritmetike do të rikonfirmohet në pushtet e njëjta maxhorancë e majtë.

Çfarë nuk e mposht si armik është mirë ta bësh mik.

Çfarë nuk e lufton dot si krim është mirë të mos e quash më të tillë.

Kultivimi i Cannabis-it dhe prostitucioni janë dy krime që të çojnë në burg. Të paktën deri më tani kur dhe ligji për to konsiderohet si objekt kritike.

Në rastin e parë dënohet kultivuesi, shitësi, transportuesi e deri edhe përdoruesi. Kurbën e fenomenit e dëshmon çmimi: në verën dhe vjeshtën e 2014 kur u çlirua Lazarati, ishte pothuaj e pamundur ta gjeje mall në treg dhe çmimi ishte bërë tym që ngjitej në qiell, sot çmimi është për tokë dhe tallja e rrugës është se e kthejnë si kusur kur paguan për një tufë majdanoz.

Në rastin e dytë dënohet kush e jep dhe jo kush e merr, ndërkohë që “jep e merr para” në këmbim të seksit është diçka që nuk turpëron askënd sepse është pothuaj legale. Dhe ky është  madje edhe një akt i duartrokitur nga balonat e moralit. Mjafton të shihen lajmet rozë me “vajza VIP” që nuk i heqin rrobat e banjos nga dimri në dimër për të mësuar ca emra që dalin kurdoherë vetëm në foto celulari për like facebook-u. Kundër tyre dhe kësaj mënyre jetese me zë dalin tradicionalistët, moralistët – ata për të cilët një fjalë e tillë ka ende vlerë – por dhe nga ata/ato që nuk e kanë mundësinë të bëjnë pushime nga dimri në dimër duke paguar me çek njerëzor. Sipas parimit: refuzo çfarë nuk ka ndërmend kush të ta afrojë!

Nëse ky lloj turizmi ka një çmim të ndritshëm, ka një tjetër lloj shitblerjeje seksuale që bëhet për bukë. Për bukë në kuptimin fizik të fjalës, nga nëna që nuk kanë me se të ushqejnë fëmijët e tyre dhe që janë fytyra jo e etjes për luks, por viktima të nevojës për bukë. Këto nuk dalin në lajmet rozë si opinion, ato janë pjesë e kronikës së zezë si fakt.

Kjo është pamja e përciptë e asaj që shpërtheu si debat i rëndë mes palëve që e shihnin edhe Cannabis-in, edhe prostitucionin si kalin e rradhës që shalon debati publik. Dhe ku sipas zakonit ekstremi është shkalla e parë dhe e vetme që ai ngjit.

Dhe kjo deri të mërkurën.

Të enjten e Doktorit e gjithë kjo temperaturë transferohet në sallën e Kuvendit ku veç të tjerash njerëzia do të shohin me kërshëri deputetin me kapele të Lezhës: është rrahur në Kosovë siç thotë prokuroria dhe policia kosovare që edhe ka arrestuar dy vetë si agresorë për një gjë të tillë apo nuk ka ndodhur asgjë siç thotë për burrëri deputeti i zakontë? Për një koincidencë të rrallë vetë ai është përfshirë në debatin për kërcënimin e mundshëm të prokurorit të Përgjithshëm duke thënë se kur ai nuk mbron dot veten, si do të jetë në gjendje të mbrojë të tjerët. Por kur ha hudhra, askush nuk duhet të ankohet pse mban erë të rëndë. Kjo është jeta, fundja! Dhe këtë nuk e ndryshon as fati i një prokurori, as qëndrimi për mbetjet urbane dhe as kapitulli i shtuar dhe i hequr në kodin penal për Cannabis-in dhe prostitucionin. Në Pejë Kaubojsi u shpall politikani i vitit dhe ai e meriton një gjë të tillë në të gjitha trevat shqiptare. Në Prizren e dhunuan fizikisht, por asnjë qenie njerëzore nuk e meriton dhunën, qoftë dhe kur fakti e le opinionin pa fjalë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU