PROFIL/ Grabitje e rrëmbime, kush është ‘Tuku’ i bandës së Niklës

Nga aksioni i nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku forcat speciale RENEA dhe FNSH rrethuan Niklën e Krujës, e cila është bërë e njohur kohët e fundit si vendi i tritolit, u shoqërua edhe Flamur Haka. Ai njihet me nofkën Tuku dhe është akuzuar si një nga krerët më aktivë të bandës që zë fill në vitin 1998. Flamur Haka është dënuar me 16 vite burg, dhe mbetet e paqartë sesi është kryer lirimi i tij dhe në rast se ka përfituar një ulje të dënimit të tij.

Petrit Lleshi dhe Flamur Haka kanë kryer veprat penale të “vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” ndaj Bledar Ullirit, “rrëmbim personi me qëllim përfitimin” ndaj shtetasit Kujtim Shtufi, “vjedhjen me dhunë” ndaj dy kambistëve Avni dhe Ramiz Gjuta si dhe akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, të gjitha këto në bashkëpunim. Madje, në një rast i kanë vënë gjobë një personi, duke u hequr sikur autori i saj ishte Nehat Kulla

Anëtarët e bandës së Niklës

Flamur Haka

Petrit Lleshi

Agron Tafani

Kreshnik Berisha

Mustafa Xheka

Edmond Sina

Ervin Belba

Veprimtaria e kësaj bande ka filluar në prill të vitit 1998, kur dy prej anëtarëve të saj kanë vjedhur makinën e Bardhyl Medollit në vendin e quajtur Bregu i Lumit në Tiranë. Pak muaj më pas, në fillim të vitit 1999, anëtarët e kësaj bande i kanë vënë gjobë prej 2 milionë lekësh shtetasit Petrit Metohu. Letra kërcënonte Metohun se nëse nuk do të paguante paratë, do t’i vriteshin fëmijët.

E veçanta e këtij rasti është se në fund të letrës, kishin nënshkruar sikur autor i gjobëvënies ishte Nehat Kulla dhe grupi i tij. Një tjetër grabitje e bandës e cila është faktuar, është kryer më 6 maj 1999.

Rreth orës 21:30 të asaj nate, tre persona kanë hyrë në banesën e Gëzim Qefalisë, ku ndodhej edhe kosovari Ismet Kryeziu dhe i kanë marrë këtij të fundit 850 franga dhe 5200 marka. Ndërkohë, vetëm gjashtë muaj më pas, Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë rrëmbyer shtetasin Kujtim Shtufi dhe e kanë shpënë në një banesë në afërsi të urës së Tapizës.

Më datë 19 nëntor 1999 ata i kanë telefonuar shtetasit Dodë Luli duke i kërkuar 50 milionë lireta italiane në këmbim të lirisë së Shtufit. Pak orë më vonë, nën presionin e policisë, ata janë tërhequr nga kërkesa e tyre dhe kanë lënë të lirë Shtufin vetëm pasi i kanë marrë 20 mijë lekë, 300 mijë lireta si dhe një zinxhir floriri. Në qershor të vitit 2000 sërish Haka dhe Lleshi kanë tentuar që të vrasin shtetasin Bledar Ulliri, i cili për fat ka shpëtuar vetëm me një plumb në këmbë.

21 prill 1998

Kreshnik Berisha dhe Edmond Sina kanë ndaluar makinën e Bardhyl Medollit, i cili ndodhej me kunatin, motrën e tij dhe dy fëmijë të vegjël. Të akuzuarit i kanë dalë përpara me armë më dorë e i kanë marrë makinën

Fillim i vitit 1999

Anëtarët e kësaj bande kanë hedhur një letër në shtëpinë e Petrit Metohut, ku i kërkohej të paguante dy milionë lekë, përndryshe do t’i vrisnin fëmijët. Letra ishte nënshkruar sikur atë e kishte dërguar Nehat Kulla

6 maj 1999

Kreshnik Berisha dhe Agron Tafani kanë hyrë në shtëpinë e shtetasit Gëzim Qefalia, ku ndodhej edhe kosovari Ismet Kryeziu. Nën kërcënimin e armëve ata kanë mundur t’i marrin shumën e 850 frangave dhe 5200 markave

18 nëntor 1999

Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë marrë peng shtetasin Kujtim Shtufi dhe pak orë më pas, kanë telefonuar Dodë Lulin duke i kërkuar 50 milionë lireta për ta liruar. Pas presionit të policisë ata kanë liruar pengun

10 korrik 2000

Kreshnik Berisha, Petrit Lleshi dhe Ervin Belba, të pajisur me shkopinj i kanë zënë rrugën dy kambistëve Avni dhe Ramiz Gjuta. Me anë të kërcënimit ata kanë mundur që t’iu marrin atyre shumën e 1.4 milionë lekëve

5 dhjetor 2000

Rreth orës 12.00 të asaj dite, anëtarë të bandës kanë ndaluar në rrugën “Don Bosko” makinën e firmës së këpucëve “Filanto”. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë mundur të marrin shumën e rreth tre milionë lekëve

10 qershor 2000

Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë tentuar të vrasin shtetasin Bledar Ulliri. Ata e kanë ndjekur Ullirin nga pas dhe pasi i kanë prerë rrugën me makinë e kanë qëlluar me breshëri automatiku. Fatmirësisht ai është larguar

30 maj 2003

Anëtarë të kësaj bande kanë kryer grabitjen e makinës së shtetasit Hektor Begeja. Ai kishte parkuar makinën përballë Akademisë të Arteve, por kur është kthyer makina e tij ishte vjedhur nga Berisha dhe persona të tjerë

9 shkurt 2005

Kreshnik Berisha dhe Mustafa Xheka kanë kryer grabitjen e kambistit Reshit Beja, tek Fusha e Aviacionit. Mëngjesin e asaj dite ata i kanë grabitur me armë Bejës rreth 34 mijë euro, 4.4 milionë lekë si dhe 4400 dollarë. raport.tv/ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU