Problemi i vërtetë nuk është protesta, por dialogu

Nga Skënder Minxhozi/

Kryeministri ka nisur një tur takimesh nëpër universitetet kryesore të vendit, duke debatuar e diskutuar me studentë e pedagogë. Në një vështrim të parë, Rama ka gjetur një mënyrë të zgjuar për të relativizuar e tkurrur edhe më tej protestën në rrugët e Tiranës, ku tashmë ka mbetur një bërthamë e vogël protestuesish, me në krye atë djalin e mbështjellë me flamur dhe me kaskë biçiklete në kokë.

Problemi i bllokimit të kryeqytetit në morsën e studentëve duket se është tejkaluar për momentin, por kriza e arsimit të lartë vijon të jetë elefanti në mes të dhomës. Dhe Edi Rama, me takimet e ditëve të fundit në institucionet e arsimit të lartë, po fillon të kuptojë se problemi i tij afatmesëm dhe afatgjatë nuk është vetë protesta e studentëve, e cila ishte edhe ajo impresionuese, por lista e gjatë e halleve dhe ngërçeve të shkollës së sotme shqiptare.

Protesta e vendosi krizën e arsimit të lartë në epiqendrën e vëmendjes publike. Ky ishte rezultati madhor i një vale reagimi të fortë të një brezi që përgjithësisht është parë si periferik në zhvillimet politike e sociale. Tani që ata kanë marrë në dorë megafonët dhe mikrofonët e debatit me qeverinë, para syve të Edi Ramës dhe të të gjithë shqiptarëve ka nisur të shpaloset një tablo e koklavitur problemesh të të gjitha natyrave e formave.

Korrupsion profesorësh, kushte mizerabël ambjentesh, ulje tarifash, doktoratura false, injorim i fjalës dhe vullnetit të studentëve, shkëputje totale e arsimit të lartë nga nevojat reale të tregjeve, standarte mësimdhënie qesharake dhe keqfunksionim i ligjit për arsimin e lartë. Mali i krizës së universiteteve është i lartë dhe i frikshëm, edhe pa mijërat e të rinjve në Rrugën e Durrësit.

Rama po kupton me çmimin e debatit dhe disa herë të sfidave publike të studentëve, se ka përpara një problem real me zemërimin e rinisë shqiptare. Një problem që e ka kapur kryeministrin në ingranazhin e një mërie të vjetër dhe të re, për çeshtje që i përkasin tranzicionit shqiptar, më shumë sesa një qeverie të caktuar. Madje sot duket e padrejtë që në një pozitë si kjo të mos gjendet fjala vjen Sali Berisha, që hapi kioskat që shisnin diploma me lek në dorë.

Dialogu po rezulton jo thjesht një formalitet, por një ushtrim i vështirë komunikimi edhe për një orator te thekur si Edi Rama. Mjaft studentë i janë drejtuar ashpër Ramës, një risi kjo për kryeministrin shqiptar, disa të tjerë e kanë sfiduar duke dalë nga sallat, kurse ata që kanë mbetur, bashkë me pedagogët, kanë rradhitur një listë jo të vogël kërkesash e problemesh të pazgjidhura. Djem dhe vajza krejt të panjohur ngrihen dhe i thonë sy se nuk e besojnë dhe se nuk po marrin zgjidhje nga ato që ai thotë. Dhe ky është një problem real për kryeministrin, në kushtet kur gjithçka zhvillohet në sytë e të gjithë shqiptarëve.

Rama ka sot përballjen ndoshta më të vështirë publike qëkurse ka hyrë në politikën aktive. Eshtë përplasur me politikanë të të gjitha formateve, ka bërë beteja në të gjitha aulat e politikës shqiptare, por sfida e disa studentëve “anonimë” të cilët flasin për halle konkrete dhe e sfidojnë ballëhapur, janë një problem i një lloji të ri për kryeministrin.

Nga takimet që ka zhvilluar deri tani, kreu i qeverisë ka kuptuar se do të duhen shumë miliona euro dhe mund e punë nga qeveria që drejton, në mënyrë që në janar, kur duhma e alkolit dhe sheqeri i bakllavasë të jenë davaritur, sheshet e Tiranës të mos mbushen sërish me protestues të rinj.

Kriza aktuale kërkon angazhim afatgjatë dhe veprime konkrete. Rama këto orë po premton se do sillet pikërisht kështu, por studentët që dëgjojnë me skepticizëm dhe ironi fjalët e tij, janë testi i vërtetë i këtij armëpushimi. Problemi i vërtetë i qeverisë sot nuk është më thjesht dhe vetëm protesta, por dialogu që ka nisur. Sepse në fakt, vetë dialogu është një paqe me kushte dhe si e tillë ajo ka një fillim dhe një fund.

1 koment

  1. Bej nje shkrim per skandalin e tenderit tek Unaza e Madhe.
    Po te ishte PD-ja ne pushtete, do e kishe bere.
    Jepi Nero!

PËRGJIGJU