Probleme me pasurinë, KPK shkarkon kryegjyqtaren e Gjirokastrës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra kryetaren e Gjykatës së Gjirokastrës Albina Spahaj.

Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut përbëhej nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko. Komisioni e gjeti atë gjatë hetimit administrativ me probleme në kriterin e pasurisë.

Gjatë seancës dëgjimore Spaha u përball me një sërë dyshimesh mbi burimin e ligjshëm të pasurive të saj. Sipas relatores ajo nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe kursimet ndër vite. KPK po ashtu gjeti disa shuma në llogari bankare që sipas relatores nuk ishin deklaruar dhe nga analiza financiare rezultoi një bilanc negativ prej 6.3 milion lekësh.

Spaha u mbrojt duke pranuar si pakujdesi mosdeklarimet. Po ashtu ajo kërkoi që të përfshiheshin në analizë të ardhurat e bashkëshortit sipas asaj që ajo kishte deklaruar.

Në këtë pikë Spaha u duk se ishte në një situatë të ngjashme me magjistratë të tjerë dhe ngjashëm ajo fajësoi kompanitë e ndërtimit që kishin punësuar të shoqin që nuk kishin paguar sigurime dhe tatime për rroga të plota.

Gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se ajo nuk kishte probleme në kriterin e figurës dhe u vlerësua pozitivisht në kriterin e profesionalizmit. KPK nuk u shpreh për 5 denoncime që kishte marrë por tha se do i shpjegonte në vendim.

Albina Spaha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998. Ajo ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tepelenës dhe në vitin 2008 është emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Në tetor 2016, Spaha u komandua kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës pas shkarkimit të kryetarit të mëparshëm, Guximtar Boçi i cili u akuza për një skandal seksual, për të cilin gjykata e nxorri të pafajshëm.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU