Pritet vendimi për imunitetin / Tahiri: Familjari i Alibeajt ka vrarë një njeri!

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka mbyllur punimet e Këshillit të Mandateve pas dy orësh debate dhe paraqitje pretendimesh.

Ruçi tha se mbrojtja dhe akuza duhet t’i paraqesin dokumentet qe disponojnë në administratën e Kuvendit.

Ndërkohë Këshilli i Mandateve pritet të marrë vendimin për heqjen ose jo të imunitetit të Saimir Tahirit.

***

“Zoti avokat, jeni thirrur ju ose klienti juaj nga Prokuroria nga data 17 tetor që ka nisur hetimi?”. Kështu e nisi fjalën e tij deputeti socialist Ulsi Manja.

Ndërkohë që avokati Artan Hajdari tha se nuk janë thirrur asnjëherë.

Nga ana tjetër prokurori Besim Hajdarmataj tha se kanë paraqitur dje të gjitha provat që implikojnë ish-ministri i Brendshëm.

“Sot e gjithë pjesa mbrojtëse e Saimir Tahirit ishte që ta përfshinte në diskutim politik edhe prokurorinë. Këtu flitet për llum politik dhe mediatik. Ne kemi ardhur dje me sjellje etike dhe morale. Ne kemi biseda të bëra nga dy njerëz në automjetin e tyre që implikojnë në mënyrë të vazhdueshme ish-ministrin duke përmendur se do i blejnë dhurata” – tha Hajdarmataj.

***

Tahiri: Dua provat njëherë, pastaj të arrestohem!

“E ritheksoj se jam shumë i hapur që të hetohet gjithçka në lidhje em mua. Por nuk mund të pranoj që me standardin e Sali Berishës apo kujtdo tjetër që bënte gjyqe politike, të arrestohem pastaj të gjeni provat. Unë i dua provat tani dhe jam në dispozicion të Prokurorisë pa pushim. Unë dëgjova se mund të iki jashtë Shqipërisë Saimir Tahiri. Nuk kam ndërmend të lëviz asnjë moment. Ju i keni dhene toke ne Orikum dhurate Dritan Zaganit. Nga Tropoja ne Orikum. Per cilen arsye? Per ta blere? Ky eshte raporti imoral me denoncuesit dhe jam mesuar me rracen tuaj” – tha Tahiri.

***

Deputeti i PD, Eduard Halimi foli në Këshillin e Mandateve teksa iu drejtua me pyetje Tahirit dhe palës mbrojtëse.

“Ne si anëtarë të komisionit të Mandateve kemi marrë provat e Prokurorisë. Kemi 300 a 400 përgjime. Kemi një dosje me 400 faqe dhe një tjetër me 1800 faqe. Sipas këtyre rezulton se grupi i strukturuar kriminal i Habilajve kanë trafikuar të qetë për 4 vite drogë dhe armë. Sot, a jeni i bindur ju vetë bashkë me avokatin se makina me targë AA 003 GB është përdorur për trafik ndërkombëtar droge apo jeni ende në dyshime? Policia nuk trokiti asnjëherë të vetme në dyert e familjes Habilaj. Sipas përgjimeve të Prokurorisë, segmente të policisë dhe politikës ishin në dispozicion të tyre. Dritan Zagani i denoncoi publikisht Habilajt duke rrezikuar jetën e vet, të gruas dhe të tre fëmijëve. Sot si deklaroheni para kësaj trupe? Fajtor apo i pafajshëm që si baba i tre fëmijëve burgose Dritan Zaganin në vend që t’i kërkoje policisë që të trokiste në derën e Habilajve. Kush është llumi në këtë histori? Ata që e lanë për 4 vite klanin kriminal të Habilajve që të lëvizte lirshëm? Kush është llumi, policia shqiptare apo ajo italiane që e vuri para përgjegjësisë” – tha Halimi.

***

Deputeti Saimir Tahiri foli shkurtimisht në Këshillin e Mandateve duke iu përgjigjur Enkelejd Alibeajt.

“Unë jam i gatshëm të hetohem dhe jam i gatshëm të bëj gjithçka që e vërteta të dali në dritë. Por unë kërkoj prova. Ju nuk mund të më kërkoni mua të arrestohem pse dy banditë thonë në muajin e dytë të detyrës time që unë fitoj 5 milionë euro në muaj. Ju nuk mund të kërkoni të arrestohem unë pse një Saimir ngarkon një kamion me drogë, kur unë nuk kam patentë kamioni apo kompani kamionesh. Por nuk pranoj të arrestohem pse dy kushurinjtë e mi të largët kanë kryer vepër penale. Një familjar i yti ka vrarë një njeri. Do pranoje ti të shkoje në burg?” – tha Tahiri.

Ish-ministri tha se me këtë standard nuk mund të shkohet në burg, sepse këto akuza i ka dëgjuar edhe nga Sali Berisha për vite të tëra.

***

“Unë nuk i përkas rracës politike, që kur prokurori hetonte quhej lavire. Unë do të jem këtu derisa të dalë e vërteta. Nuk marr përsipër të sulmoj njeri apo të bëj politikë. Do kërkoj çdo provë që e vërteta të dalë pa asnjë lloj hezitimi. Por ama, do të refuzoj çdo lloj skenari politik të llumit dhe të rrugës që të më vërë mua pesha të pamerituara” – tha Tahiri.

***

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, tha se Tahiri e ka refuzuar çdo lloj privilegji dhe imuniteti.

“Në konferencën për shtyp që dha nga Kuvendi, Saimir Tahiri ka refuzuar. Kë të marrim për të mirëqenë, ty apo Tahirin?” – tha Alibeaj.

Por avokati Artan Hajdari tha se ai nuk bën intepretime politike, por bazohet në interpretime juridike.

“Doni t’jua japim pasaportën se mos ikën jashtë vendit? Doni të bëni kontroll banese? Kur të doni, por nuk është kjo çështja. Tahiri nuk ka thënë hajdeni më arrestoni, por më hetoni” – tha avokati.

***

Pas një orë me dyer të mbyllura, Komisioni i Mandateve ka rinisur mbledhjen ndërsa fjalën e ka marrë avokati mbrojtës.

Artan Hajdari u shpreh se nuk duhet të abuzohet me definiconin “sekret hetimor”. Ai tha se sekreti hetimor nuk duhet të ngatërrohet me sekretin shtetëror.

“Do doja të ndalesha në disa momente thelbësore. Kërkesa e organit të prokurorisë është e pabazuar në ligj dhe në prova.” –  tha avokati Hajdari.

Kërkesa për arrestim duhet të shoqërohet me prova dhe fakte. Kështu tha mbrojtja e Tahirit ndërsa kërkoi që Këshilli ta ketë në konsideratë këtë ligj kur të formulojë raportin.

“Nuk mund të nisesh nga një ekuacion për të arrestuar një njeri, se i është përmendur emri diku në Itali. Provat tregojnë se Saimir Tahiri nuk ka udhëtuar kurrë në makinë me Artan Habilajn” – tha pala mbrojtëse.

Ai theksoi se ka përkthyer fjalë për fjalë dosjen e Gjykatës së Katanias dhe tha se nuk ka asnjë pjesë ku të flitet për lidhje direkte, indirekte apo aksidentale të deputetit Tahiri me personat e akuzuar.

“Seanca duhet të ishte e gjitha publike sepse nuk ka asnjë provë. Këtu nuk gjykoj vendimarrjen tuaj. Heqja e lirisë personale është masë shtrënguese ekstreme. Ligji thotë se kjo masë vendoset kur masat e tjera nuk janë të përshtatshme. Prokurori kërkon arrestimin, por pa e bazuar në kontekstin e cështjes” – tha Hajdari.

“Letër porosia duhej të ekzekutohej nëse ka mbërritur. Këto gjëra nuk bëhen fshatçe, por duke respektuar ligjin. Po përse e akuzon Tahirin për pjesë të një grupi strukturuar kriminal? Nuk ka bindje, por prova që duhet t’i jepen gjykatës. Të tjerat janë detaje që nuk kanë vend në jurisprudencë” – u shpreh avokati i Saimir Tahirit.

“Në përgjime, Moisi Habilaj i thotë një tjetri se ky fugon kaloi për neve. A është kjo provë? Thuhet se është një person me syze. Mos vallë ky personi me syze që hetohet në Itali është Saimir Tahiri? Të gjitha këto janë shumë të dobëta për t’u marrë parasysh jo vetëm për Tahirin, por për këdo. Nuk ka asnjë provë apo një indicie të vetme të Saimir Tahirit. Raporti duhet t’i shkojë Kuvendit që kërkesa të rrëzohet. Të mos lejohet kontrolli i banesës, kontrolli personal dhe aq më tepër arrestimi” – tha avokati Artan Hajdari.

***

Sikurse ishte parashikuar , mbledhja e Komisionit të Mandateve për çështjen “Tahiri” ka nisur në orën 10:00 ndërsa prokurori Besim Hajdarmataj ka pretenduar se ka siguruar prova të reja.

Në fjalën e tij, referuesi i organit të akuzës tha se janë siguruar prova të reja për ish-ministrin e Brendshëm.

Por avokati i Saimir Tahirit pyeti nëse bëhet fjalë për prova të reja apo për dosjen e Gjykatës së Katanias me 416 faqe.

“Ne duam të dimë nëse bëhet fjalë vërtetë për prova të reja, apo kanë përkthyer dosjen e Katanias? Sepse nëse nuk kanë pasur kohë, e kemi përkthyer ne dosjen dhe mund t’ua vëmë në dispozicion” – tha avokati Artan Hajdari.

Ndërkohë komisioni vendosi që Tahiri dhe avokati i tij të largohen nga mbledhja dhe të vijohet me administrimin e provave që organi i akuzës pretendon se ka siguruar orët e fundit.

VIJON…

***

Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet pritet të mblidhet sot në orën 10:00, ku do të vendoset fati i ministrit Saimir Tahiri.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i është drejtuar Këshillit me kërkesën për heqjen e imunitetit të Tahirit, me qëllim arrestimin e tij, pas dyshimeve se mund të jetë i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas prokurorisë ka prova që e implikojnë ish – ministrin me grupin e vëllezërve Habilaj, njëri nga këta të fundit i arrestuar në Itali pak ditë më parë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve një ditë më parë, mbrojtja e ish-ministrit Saimir Tahiri kërkoi kohë deri të hënën për tu mbrojtur para provave të Prokurorisë, por Ruci ka vendosur që mbledhja të zhvillohet sot në orën 10:00.

Sipas opozitës shtyrja e seancës dëmton procesin dhe prishjen e provave. /b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU