Priten erëra të forta dhe shtrëngata, kreu i Emergjencave: Rrezik nga Vjosa e Semani

Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, duke bërë një tablo të situatës së motit të keq ka deklaruar se aktualisht në vend bien reshje mesatare, por ato pritet të intensifikohen në ditët e ardhshme dhe do të shkaktojnë probleme kryesisht në jug të vendit.

“Shërbimet meteorologjike vendase dhe të huaja kanë dhënë informacion të detajuar mbi situatën e pritshme, kryesisht për zonën jug-perëndimore. Në vijim të natës së sotme dhe datës 1 dhjetor do të ketë mbi 110 milimetra reshje nga 35 mm që kanë qenë në 24 orët e kaluara”, ka deklaruar Premçi.

Duke folur për “Report TV”, zyrtari i lartë ka paralajmëruar se, rrjedhimisht do të ketë edhe prurje të lumenjve të vendit, nga të cilët Semani dhe Vjosa pritet të kenë më të mëdhatë.

Duke nënvizuar se e premtja dhe paraditja e së shtunës do të jenë problematike për pjesën jug-lindore, Premçi ka theksuar se, shtabet e Emergjencave Civile në rrethe janë vënë në gatishmëri me të gjitha strukturat operacionale, duke marrë të gjitha masat paraprake.

“Do të ketë erëra të forta dhe shtrëngata shiu, që do të jenë problematike. Në këtë aspekt, reagimi ka rëndësinë e vetë sepse përmbytjen nga mospërmbytja e ndan një vijë e hollë. Sepse nëse nuk funksionojnë kanalet e nëntokës në zonat urbane dhe ato mbi tokë në ato rurale do të ketë një vërshim të madh”, ka deklaruar Premçi.

Ndërsa ka garantuar se sistemet e kanaleve do të jenë të pastruara, ai ka shtuar më tej se, qytetet më të rrezikuara do të jenë Vlora, Fieri, Gjirokastra dhe Korça. /Shqiptarja.com

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU