Prifti kanadez: Ju rrëfej dy mrekullitë e Nënë Terezës

Prifti Brian Kolodiejchuk fizikisht është një gjigant, me fytyrën dhe gëzimin e një fëmije. Ka lindur në Kanada, por origjina e familjes së tij është ukrainase, dhe këtë e dëshmon më së miri mbiemri i tij që vështirë se mund të shqiptohet. E ka njohur Nënë Terezën në moshën 21-vjeçare. Ishte nisur me prindërit e tij për të takuar të motrën që ishte misionare e bamirësisë dhe gjendej në shtëpinë e shën Gregorit pranë Celio-s në Romë. Në momentin që duhej të kthehej në Kanada, Nënë Tereza i thotë: “Qëndro me mua”.

 Mund të duket e çuditshme, por Brian i përgjigjet pozitivisht. Filloi të mësonte duke vëzhguar, në atë kohë ishte e vetmja degë e gjinisë mashkullore dhe që më vonë do të bëhej një nga Etërit e parë Misionarë të bamirësisë, dega e fundit e gjinisë mashkullore që u themelua nga Nënë Tereza.

Etërit janë priftërinj që kujdesen për anën shpirtërore të bamirëseve dhe të personave në nevojë. Tani Brian është Superiori i Etërve dhe Postulator i çështjes së kanonizimit të Nënë Terezës së Bekuar të Kalkutës. Jeton normalisht në Tijuana, Meksikë, qytet i famshëm për ngjarjet e trishta të mijëra klandestinëve të gatshëm për të kaluar murin ndarës me San Diegon në Shtetet e Bashkuara.

Përpos të tjerave thirrja e brendshme e tij është ajo e Familjes së Misionarëve të Bamirësisë, burra dhe gra, të cilët kanë zgjedhur që në vendet e errëta të botës të ngrenë shtëpi. Ndoshta për këtë prifti Brian ka reflektuar shumë rreth eksperiencës së errësirës së përjetuar për plot 50 vjet nga Nënë Tereza, sepse brenda kësaj vuajtje të gjatë shpirtërore të murgeshës të së varfërve gjendet gjurma që udhëheq drejt kuptimit të thirrjes së misionarëve të bamirësisë: për dritën e Krishtit në errësirën e gjendjes njerëzore.

Tani prifti Brian është transferuar përkohësisht në Romë për të ndjekur punën intensive të Postulimit të 4 shtatorit të ardhshëm, kur papa Françesko do të shenjtërojë Nënë Terezën e Kalkutës. Më pas do të udhëtojë në Argjentinë, ku është ftuar të flasë për atë që do të jetë Shën Tereza e Amerikës në vendin e Papa Françeskut.

Lidhjet e Nënë Terezës me Amerikën Latine janë të shumta, duke nisur nga mrekullia, e dyta, ajo që bëri të mundur edhe kanonizimin, e një braziliani…

Është pikërisht kështu, përtej mrekullisë, shtëpia e parë e Misionarëve të Bamirësisë që është hapur jashtë Indisë, ishte në Venezuelë në 1965.

Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm për Nënë Terezën dhe për kongregacionin e saj, duke qenë se shënoi fillimin e një zgjerimi ndërkombëtar.

Ajo i vizitonte murgeshat shpesh në vitet e para, dhe i kishte bërë përshtypje përzemërsia me të cilën ato priteshin në Amerikën Latine.

Përgjatë tre dekadave që do të pasonin, Nënë Tereza udhëtoi në shumë vende të Amerikës latine me qëllimin për të hapur shtëpi të reja për më të varfrit e të varfërve.

Për sa i përket mrekullisë së ndodhur në vitin 2008 në Santos të Brazilit, me ndërhyrjen e së Bekuarës Terezë, ju keni thënë se e mësuat vetëm rreth fundit të vitit 2013 dhe u aprovua në dhjetor të 2015…

Pikërisht në 17 dhjetor të 2015, Papa Françesku aprovoi nxjerrjen e dekretit që njeh një mrekullinë, që ngjau falë ndërhyrjes të së Bekuarës Nënë Terezës së Kalkutës. Rast, i cili u paraqit nga Postulacioni i Çështjes së Kanonizimit i referohet shërimit prej mrekullisë që ndodhi në 2008-ën në qytetin Santos të Brazilit. Rasti i referohet një burri që vuante nga një infeksion bakterial në tru, gjë që i shkaktoi qelbëzim të shumëfishtë në pjesën e trurit. Kurat e shumta që u përdorën nuk dhanë rezultat, prandaj gjendja e tij përkeqësohej çdo ditë edhe më shumë. Në 9 dhjetor të 2008-ës pacienti gjendej në kushte klinike akute: hidrocefalus obstruktive; ishte në koma dhe po vdiste. U vendos të kryhej një operacion kirurgjik urgjent. Në 18:10 pacienti u zhvendos në sallën e operimit, por anestezia nuk mundi të realizojë intubacionin traekal, që do të lejonte praktikimin e anestezisë.

Ndërkohë, duke filluar nga marsi i 2008-ës, e shoqja e pacientit kishte këmbëngulur që ajo që mund të bënte diçka për bashkëshortin e saj të sëmurë, ishte Nënë Tereza. Lutjeve të saj, për këtë ndërhyrje iu bashkuan edhe familjarë të tjerë, miq, prifti, të gjithë po luteshin dhe kërkonin për një ndërhyrje dhe mrekulli të Nënë Terezës.

Po në atë ditë, në 9 dhjetor 2008, kur pacienti hyri në një krizë shumë të rëndë dhe duhej pra të zhvendosej për të kryer një ndërhyrje urgjente, e bekuara Terezë drejtoi lutjet e saj për shërimin e këtij pacienti. Pikërisht midis orës 18:10 dhe 18:40 e shoqja e pacientit iu drejtua së bekuarës Nënë Terezë, duke iu lutur me vendosmëri të madhe për shërimin e burrit të saj në prag të vdekjes. Në 18:40 neurokirurgu u rikthye nga salla e operacionit dhe e gjeti pacientin e tij në mënyrë të pashpjegueshme zgjuar dhe pa dhimbje. Pacienti e pyeti mjekun “Çfarë bëj unë këtu?” Mëngjesin tjetër, 10 dhjetor 2008, në orën 7:40 kur pacienti u vizitua, ishte krejtësisht i zgjuar dhe pa asnjë lloj dhimbjeje koke; ishte asimptomatikë dhe shfaqi shenja perceptimi shumë normale.

Pacienti, tanimë krejtësisht i shëruar, rimori punën e tij si inxhinierë mekanik pa pasur asnjë lloj kufizimi, çifti sot ka dy fëmijë të shëndetshëm të lindur në 2010 dhe në 2012.

Në 10 shtator të 2015, komisioni mjekësor votoi në mënyrë unanime që bazuar në dijet e tyre mjekësore ky shërim ishte i papritur. Në 8 tetor të po të njëjtit vit edhe komisioni mjekësor teologjik votoi unanimisht që kishte një lidhje perfekte mes thirrjes dhe lutjeve të Nënë Terezës me shërimin e pashpjegueshëm të pacientit. Në 15 dhjetor 2015, ky rast mori aprovimin final të Kongresit të Kardinalëve dhe Peshkopëve për Çështjet e Shenjtëve, mbledhur në një sesion të zakonshëm.

Mrekullia tjetër është rasti i Monica Besra në Bengal të Indisë…

Monica Besra vuante nga sëmundja e pashërueshme. Mjekët i kishin diagnostikuar një tumor, rreth 17 centimetra, në bark. Familja e saj kishte provuar shumë mjekime, por pa rezultat. Më 5 shtator, në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Nënë Terezës, një nga motrat mori medaljen e Marias, që kishte prekur trupin e Nënë Terezës gjatë funeralit. Ajo e vendosi fotografinë e saj në stomakun e Monica-s dhe bëri një lutje: “Nënë, sot është dita jote. Ti i ke dashur të varfrit. Bëj diçka për Monica-n”. Kjo ndodhi në orën 5 të pasdites. Monica u ngrit në mes të natës, dhe kur shkoi në tualet zbuloi se barku i saj ishte i rrafshët. Në rastin e Monica-s janë konsultuar 11 mjekë dhe vetëm një prej tyre ishte katolik.

Ekziston një çast që Nënë Tereza e quante dita e frymëzimit, kur dëgjoi zërin e Jezusit që i kërkonte të themelonte një urdhër të ri fetar. Nuk mund të kuptohet errësira nëse nuk njihet drita dhe shumë njerëz nuk ia kanë idenë e kësaj eksperience. Në çfarë konsiston?

Tani e dimë se Nënë Tereza ka dëgjuar zërin e Jezusit për të parën herë në 10 shtator 1946, duke i kërkuar që të shkonte te më të varfrit e të varfërve në Kalkutë për t’u përçuar atyre dritën dhe dashurinë e tij. Këto thirrje të brendshme, dhe më pas, në 1947, vizionet e brendshme, që do të vazhdonin deri në mbarim të vitit. Para kësaj, Nënë Tereza kishte kaluar proceset e purifikimit pasiv që Shën Gjoni i Kryqit shpjegon në shkrimet e tij. Ky purifikim e çoi në 1947-ën drejt një eksperience ngushëlluese dhe të thellë të bashkimit të saj me Jezusin.

Përse ajo thoshte për veten që donte të ishte “laps i Zotit”?

Një laps është diçka e pakuptimtë, vetëm një mjet që dikush përdor për të shkruajtur një mesazh. Kur ju merrni një letër, për shembull, doni ta lexoni për të verifikuar atë që personi ju ka shkruajtur dhe që do të thotë; nuk fiksoheni pas letrës apo pas mjetit që është përdoruar për ta shkruajtur. Duke e përkufizuar veten si një laps, Nënë Tereza dëshironte të vinte në dukje përulësinë e mjetit – veten e saj – dhe madhështinë e Zotit, që i referohej “ asgjësë për të treguar madhështinë e tij”, ashtu siç i pëlqente të thoshte. Dhe diçka tjetër: një laps kushton pak dhe mund ta kenë të gjithë, pra është shumë i zakonshëm. Dhe është Ai që e përdor – Zoti – që bën gjëra të mëdha, nëse ai laps e lejon të veprojë në liri të plotë.

Mjekët për mrekullinë e parë

“BBC” në një artikull të publikuar në dhjetor të vitit 2015 shkruan se, në vitin 2003, kur u lumturua nga Papa Gjon Pali, u pranua nga Vatikani se ajo kishte shëruar një grua indiane, që vuante nga tumori në bark falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të Nënë Terezës.

30-vjeçarja Monica Besra është shprehur se u shërua pasi vendosi foton e Nënë Terezës mbi bark. Por, mjekët indianë e sfiduan këtë pretendim, duke thënë se Monica merrte mjekim.

Sipas “BBC”-së, ata thanë se ky është një publicitet i panevojshëm, pasi kështu të varfrit nuk do marrin më mjekim, por do të kërkojnë mrekullitë për shërimin e tyre.

Madje një shoqatë mjekësh tha në atë kohë se do ngrejë padi kundër Misionarëve të Bamirësisë.

Sipas tyre, Nënë Tereza duhet vlerësuar shumë për atë që ka bërë për të varfrit, por nuk pranojnë “ndërhyrjen e saj te çështjet e mjekësisë”.

Mrekullia e dytë, e pranuar zyrtarisht tani nga Vatikani, flet për një brazilian, të sëmurë rëndë me tumor në tru, i cili u shërua pasi prifti i tij u lut tek Nënë Tereza, që ajo të ndërhyjë tek Zoti. Emri i brazilianit nuk jepet nga Vatikani. Ai u shërua në vitin 2008, shumë vite pasi Nënë Tereza kishte vdekur.

Te varri i Enver Hoxhës, pjesë e protokollit për çdokënd

Gazetari i “NY Times” e pyet priftin dhe për faktin që Nënë Tereza ka shkuar te varri i diktatorit shqiptar, Enver Hoxha… “Ajo kishte kërkuar të shihte varrin e nënës dhe motrës dhe qeveria e dërgoi, pa i treguar, tek varri i Hoxhës. Më pas ajo tha, a mund të shkoj të shoh varrin e nënës dhe motrës?” Përkthyesi shqiptar, që ka dhënë dëshminë e tij, është shprehur se: “Ne në Shqipëri e dimë se çdo vizitor i huaj duhet të shkojë te varri i Enver Hoxhës. Kjo është pjesë e protokollit’”.

Koncert në Vatikan

Programi për kremtimet e shenjtërimit të Nënë Terezës nisin më 2 shtator 2016, ndërsa më 3 shtator artistët shqiptarë do të interpretojnë në koncertin, që do të prezantohet në nderim të saj, në Vatikan. Të ftuar specialë janë: Inva Mula, Ermonela Jaho, Shkëlzen Doli, Sajimir Porgu, Rita Ora, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi etj. /Shekulli/

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU