Presidenti serb kërcënoi Kosovën me ushtrinë, reagon Majko: Jemi më të aftë në luftë sesa në paqe

Pas kërcënimit të Presidentit të Serbisë Nikolic se nëse një jetë serbe preket në Kosovë atëherë e gjithë ushtria serbe do të ndërhyjë, përfshirë dhe atë vetë, ka ardhur reagimi i Pandeli Majkos.

Ish kryeministri ka këshilluar Nikoliçin duke thënë se shqiptarët janë më të aftë në luftë sesa në paqe.

Reagimi i Majkos:

Serbia nëpërmjet deklarimeve të presidentit të saj ka deklaruar se “do të dërgojë ushtrinë” në Kosovë. Një deklarim i tillë ka kohë që nuk dëgjohet nga politika serbe. Kjo mënyrë sjellje pati pasojë gjakosjen e rajonit dhe dërgoi në Gjykatën e Hagës lidershipin e Beogradit.

Të thuash dhe të bësh, janë dy gjëra të ndryshme në politikë. Historia ja ka dhënë serbëve dhe shqiptarëve mësimet e saj. Dialogu është opsion i zgjidhjeve evropiane dhe ka raport me të vërtetën e paqes që duan kombet në rajon. Kjo e vërtetë fton gjakftohtësinë të kuptojë.

Politikan nuk të bën lufta. E kundërta është e vërtetë. Trim nuk të bëjnë deklaratat e luftës. Kjo është po aq e vërtetë sa fakti se një tren nuk bëhet kishë me piktura fetare. Të kuptuarit e luftës është akt dhe jo deklaratë. Kjo do pak mencuri në të kuptuar, e cila kombit serb, si rregull, nuk i ka munguar. Për më tepër, shqiptarët kanë një të metë kombëtare. Ata janë më të aftë në luftë se sa në paqe. Sigurisht./java/a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU