Presidenti mendohet në “shezlong”, (mos)reagimi i një njeriu të vogël

Nga Mero Baze

Miratimi i Reformës në Drejtësi, ishte një betejë që mori energjitë e politikës shqiptare, publikut shqiptar dhe veçanërisht Brukselit dhe Uashingtonit, si asnjëherë në historinë e këtyre 25 viteve në Shqipëri. Bëhet fjalë për reformimin e pushtetit të drejtësisë, që ka vulosur gjithë padrejtësitë këtë çerek shekulli në vend, në emër të korrupsionit dhe kapjes së tij nga krimi.

Në piramidën e shtetit shqiptar, në krye të pushtetit të drejtësisë, qoftë dhe formalisht, qëndron Presidenti i vendit. Ai ka thuajse pushtet të plotë mbi institucionin e akuzës, Prokurorinë, dhe pushtetin më të madh në sistemin e drejtësisë.

Por i gjithë ky aksion politik kombëtar dhe ndërkombëtar, la tërësisht në hije Presidentin e vendit, njeriu i cili duhet ta kishte udhëhequr këtë proces.

Përveç takimit të parë promovues të planit strategjik mbi Reformën në Drejtësi, gati dy vjet më parë, Bujar Nishani, ju largua tërësisht me vetëdije këtij procesi pasi mori urdhër politik nga Sali Berisha. Ai për 9 muaj rresht nuk pati asnjë kontakt formal me stukturat që po merreshin me reformën, qofshin ato kombëtare dhe ndërkombëtare dhe refuzoi të çonte përfaqësues të KLD në Komisionin e Posaçëm në fillim të procesit.

Kur PD ju bashkangjit procesit pas presionit ndërkombëtar, vjeshtën e kaluar, në të njëjtën kohë Nishani filloi të ankohej se e kishin lënë jashtë reformës.

Por dhe kjo nuk mjaftoi. Ai sërish i qëndroi larg asaj, duke gjetur dhjetëra arsyetime për mospjesëmarrje si në strukturat që po merreshin me reformën, ashtu dhe në takimet që mbaheshin për të.

Me të njëjtën qetësi që qëndronte larg, me të njëjtën qetësi ankohej se nuk po e pyesnin, sa herë që PD protestonte, apo kërcënonte për diçka lidhur me reformën.

Por pavarësisht ndaj gjithë kësaj, ai nuk ju bashkua reformës as muajin e fundit, kur PD u përfshi në negociatat për të ndryshuar thelbin e saj me shpresë se do humbiste qetësinë e ndërkombëtarëve dhe të mos e votonte atë.

Presidenti i vendit për turpin e tij nuk u përfshi as publikisht dhe as konkretisht në debatin që mori aq shumë energji për të përfshirë PD në proces dhe për ta bërë të pranueshëm draftin ndërkombëtar. Për këtë shkak ai u injorua në këtë proces dhe nga zyrtarët ndërkombëtarë që negociuan tekat e PD dhe që e detyruan atë më në fund të hynte në rresht e të ngrinte dorën.

I vetmi moment kur Bujar Nishani foli ishte e mërkura e fundit në mbasdite, kur Lulzim Basha thirri “fitore”, “fitore”… Por duket që dhe atë e kishte instiktive vetëm se po gëzonte PD, pasi në mbrëmje, kur PD refuzoi sërish ta firmoste nuk u ndje më. Nuk u ndje as të enjten, kur Kuvendi e miratoi me 140 vota reformën dhe nuk po ndihet më.

E vetmja gjë e sigurtë është se ka ikur me pushime në Dhërmi, pasi ka frikë mos i zë prapë “Shezlongun” Edi Rama me Zahon dhe nuk ka ku të pushojë.

Asnjë deklaratë për reformën, asnjë deklaratë për suksesin ndërkombëtar, asnjë deklaratë për votimin unanim… Është thjesht reagimi i një njeriu të vogël, meskin, mediokër, i cili ka paturpësinë të ndjehet i mërzitur, jo që nuk e kanë përfillur, por që PD e ka prerë në besë dhe ka votuar një reformë që e lë atë jashtë pushtetit gjyqësor.

Edhe pse ai është më pak se një vit, ende në atë zyrë, me sa duket e gënjen mendja, që do të jetë sërish President dhe ndjehet i fyer që nuk i ka më ato kompetenca mbi drejtësinë si deri tani, duke bërë kërdinë me emërime nepotike e politike dhe duke qenë në një farë mënyre, mbreti i pushtetit të korrupsionit në drejtësi.

Dhe si çdo njeri i vogël, mediokër, dhe i padenjë për atë post, ai bën sikur mendohet përsëri. I shtrirë në “shezlongun” e vilës qeveritare të Dhërmiut, ai bën sikur lexon draftin, sikur e kupton atë dhe sikur po mendohet kur ta firmosë.

Në fakt e vetmja njollë e pashmangshme mbi atë draft, pas votës pro të Berishës, do jetë firma e tij. Mungesa e saj do na e bënte më të lehtë të gjithëve. Është e para herë që firma e tij do të duket si njollë boje mbi një ligj të miratuar me 140 vota.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU