Pranon mandatin, Gjuzi i listës së PD-së: Është gati opozita e re!

Ylli Shehu, Aurora Mara dhe Enver Roshi janë tre kandidatë nga radhët e LSI-së të cilët pritet të marrin mandatin e deputetit, duke dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) formularin e dekriminalizimit.

Deri më tani numri i të lëkundurve është 10, shumica nga radhët e LSI-së, por lista mbetet e hapur pasi ka dhe nga ata që janë poshtë grupit të parë të gatshëm për të marrë mandatin e deputetit kur të vijë radha. Një prej tyre është edhe Kujtim Gjuzi, kreu i Partisë Konservatore, i cili renditet i 19 në listën e PD-së në Qarkun e Durrësit.

“Nuk kam asnjë arsye që ta lëshoj mandatin sepse nuk është i Kujtim Gjuzit, por i Partisë Konservatore. Në këtë moment unë jam një ndër drejtuesit më të lartë të grupit të ri opozitar”, tha Gjuzi.

Aleati i Bashës flet për një grupim të ri opozitar, ndërsa pohon se ka kandidatë të tjerë në listat e Partisë Demokratike të gatshëm të ulen në Parlament: “Ju bëj me dije se dhe Sazan Guri s’ka firmosur dokumentin. Janë edhe shumë të tjerë dhe lista është mjaft e lartë, mund të shkojë në numrin 33. Opozita e re sapo ka lindur, Aleanca Kombëtare për Drejtësi quhet. Janë 11 parti politike që janë brenda, kanë firmosur dhe i janë bërë prezent faktorit ndërkombëtar në Tiranë permës një dokumenti zyrtar”.

Gjuzi konfirmon lëvizjen e ndërkombëtarëve për të bindur kandidatët të pranojnë mandatin e deputetit: “Kemi patur dje një kontakt me këshilltarin më të lartë të zyrës së OSBE-së në Tiranë, i cili thotë se jemi të inkurajuar nga ambasadori që të mos e lëshojmë mandatin”.

Top Channel kontaktoi edhe të tjerë kandidatë të lëkundur nga radhët e Partisë Demokratike. Andi Përmeti renditet i 12 në Qarkun e Korçës, i cili konfirmon se është kontaktuar nga partia, por nuk ka pranuar të firmosë lënien e mandatit.

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU