Polakët “të uritur” për agrumet e jugut të Shqipërisë

Prodhuesit e mandarinave në zonën e Xarrës, në jug të vendit, po zgjerojnë hartën e eksporteve duke u shtrirë edhe në Poloni, krahas eksporteve në vendet e tjera të rajonit.

USAID ka punuar me prodhuesit e mandarinëve në zonën e Xarrës, në jug të vendit për të zhvilluar një strategji të rritjes së prodhimit të agrume dhe gjatë disa viteve të fundit ka ofruar asistencë teknike për të mbështetur investimet në teknologjitë dhe infrastrukturën e re.

Si rezultat, ka pasur një ringjallje në prodhimin e agrumeve në këtë rajon dhe gjatë këtij muaji fermerët kanë nisur eksportimin e sasisë së parë prej rreth 100 ton, me mandarina “made in Albania”, në Poloni, ndërsa vijon kryesisht eksporti intensiv në Kosovë.

Prodhimi dhe kultivimi i mandarinës prej vitesh është mjeti kryesor i jetesës për banorët e Xarrës në Sarandë.

Eksportet nga këto plantacione të mjella me agrume janë gjithnjë në rritje, ndërsa tregu kosovar vijon të shtojë kërkesë gjithnjë e në rritje për mandarinat e Xarrës.

Xarra ka mbi 90 mijë pemë agrume, nga të cilat 75 mijë janë mandarina. Nga viti 2008 e deri më sot janë mbjellë me agrume mbi 170 hektarë tokë të rinj.  Ndërsa janë mbi 280 fermerë në zonë që merren me kultivimin e mandarinave. /atsh/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU