Po vjen reforma, po ikën gjumi, po lëshojnë nervat…

Nga Skënder Minxhozi

Debati parlamentar bëri një kthesë të fortë të enjten, teksa në horizont u shfaq sërish mundësi e një bojkoti nga ana e opozitës. Duket se forca lëvizëse e kësaj nisme të fundit (e njëjta forcë historike që ka bërë kohën e mirë dhe të keqe në PD prej 25 vjetësh), është Sali Berisha me deklaratat e tij ekstreme. Me anë të të cilave vetë Berisha kreu një lëvizje taktike të mirëmenduar, duke deklaruar se mund të merrte vendimin e largimit nga Parlamenti në mënyrë të njënashme, pa respektuar linjën zyrtare të partisë.

Shumëkush sheh tek debati rreth rikthimit të Armando Prengës në axhendën parlamentare, një pretekst të opozitës së djathtë për të përgatitur një terren të minuar në Kuvendin e Shqipërisë, për momentin kur reforma në drejtësi do të vijë në fazën e saj përmbyllëse, pas vërejtjeve finale të Komisionit të Venecias. Demokratët po synojnë të amendojnë (ende pa nisur nga aplikimi) ligjin për dekriminalizimin, të cilin e votuan në konsensus me socialistët vetëm pak javë më parë. Megjithëse sot Prenga vlen sa një ligjvënës i përzënë nga të gjithë dhe i përjashtuar edhe nga partia që e kandidoi, PD ka vendosur të bëjë një betejë rreth emrit të tij, e cila nuk mund të mos prekë procesin e diskutimit dhe të miratimit të reformës në drejtësi.

Ky zhvillim i minutës së fundit e fut edhe një herë në krizë skenarin e reformës, së bashku me pritshmëritë e larta që ajo ka prodhuar tashmë. Dihet gjerësisht se një listë jo e vogël politikanësh të të gjitha krahëve, mund të jenë potencialisht “gjahu” i standarteve të reja që do të kërkojë të instalojë reforma në sistemin e drejtësisë. Një arsye kjo mëse e mjaftueshme për të luajtur taktikisht, me qëllim shtyrjen sa më shumë të momentit të aprovimit të saj. Mundësisht deri kur fushata elektorale e zgjedhjeve të vitit 2017 të ekplisojë disi hijen e rëndë të një reforme që parashikohet të nxjerrë nga politika shumë emra të shquar.

Po veprohet ashtu siç u veprua pak ditë më parë me Byronë Kombëtare të Hetimit, ku fillimisht u kërkua me ngulmim votimi, e më pas siç u pa, ata që bërtitën për ta votuar Byronë ishin ata që e hëngrën fjalën e dhënë në momentin e fundit. Tronditjet në drejtësi po krijojnë valë sizmike gjithnjë e më të forta në skenën politike. Seanca e të enjtes së fundit në Kuvend ishte prova e rradhës për këtë fenomen tashmë jo të ri politik.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU