Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve politikë për një reformë të re zgjedhore, sërish fati i ndryshimeve në ligj duket se do të përcaktohet në ditët e fundit. Rreth një vit më parë, në dhjetor të 2015-s, Kuvendi do të miratonte ngritjen e Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore që do të kishte për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor, për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015.
Për herë të parë ky komision i ngritur me vullnetin e të gjitha forcave politike në Kuvend do të mblidhej me tre muaj vonesë, duke dhënë edhe sinjalet e para se si do të ishte edhe rrugëtimi për reformën zgjedhore. Në këtë mbledhje foli edhe Bashkim Fino i Partisë Socialiste, i cili deklaroi: “Do të marrim në konsideratë raportin e OSBE/ODIHR-it.
Kemi kohë dhe le të shpresojmë që të mbarojmë punë para pushimeve, por konsensusi mund të arrihet edhe në fund të vitit për Kodin Zgjedhor”.
Ndërsa Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike do të theksonte se ky është “një moment i rëndësishëm në punën e Parlamentit”, shtoi se nuk ka shumë kohë për të trajtuar të gjitha problematikat. “Duhet konsensus dhe vullnet politik. Suksesi i procesit të dekriminalizimit lidhet me suksesin e Reformës Zgjedhore. Shqipëria ka bërë hapa prapa në lirinë e zgjedhjeve. Blerja e votës dhe presionet ndaj zgjedhësve janë fenomene shumë të rënda. Duhet vullnet për t’i luftuar këto fenomene”, do të shprehej Bylykbashi.
Por pavarësisht këtyre deklaratave, në qershor mbaroi dhe mandati i parë i këtij komisioni pa asnjë rezultat konkret, pasi i gjithë fokusi i politikës ishte reforma në drejtësi. Në 9 qershor do të shtyhej edhe me 6 muaj të tjerë mandati i Komisionit të reformës zgjedhore. Kjo do të thotë se me rifillimin e punës në shtator, anëtarët e këtij komisioni do të kenë mundësi që të punojnë gjer më 9 dhjetor, pasi përfundon mandati./Dita/a.m.