“Plumbat depërtuan në dhomën e fëmijëve”, gazetarja rrëfen sulmin me armë

Shtatë ditë më parë banesa ku banonin prindërit e gazetares Klodiana Lala është qëlluar me breshëri plumbash, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

E ftuar në emisionin “Opinion”, Lala tregoi se si e mësoi sulmin me armë në banesën e prindërve ku ndodheshin dy vajzat e mitura dhe familjarët e saj.

“Unë banoj në një apartament në periferi të Tiranës, në shtëpinë e prindërve e cila u godit unë shkoj dy ose tre herë në ditë. Dy vajzat e mija të mitura ishin në shtëpinë e prindërve të mi, unë nuk ndodhesha aty në ato momente. Sulmi ka ndodhur rreth 20 minuta pasi vëllai ka hyrë në banesë me makinën time. Plumbat kanë depërtuar në dhomën ku flinin dy vajzat e mitura”-tha gazetarja.

Gazetarja e kronikës në News24, tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku u lëshuan breshëri plumbash në banesën e prindërve.

Ajo tha se banesa është qëlluar me 15 plumba, ku predhat janë gjetur në mjediset e banesës. Lala tregoi se dy plumba kanë depërtuar në dhomën ku po qëndronin dy vajzat e saj.

Në lidhje me arsyet e sulmit, gazetarja tregoi se për të shkatërruar një gazetar, hapi i parë është që të trembin gazetarët përmes sulmit ndaj familjarëve./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU