Plazh në Kashar, projekti i Bashkisë së Tiranës për liqenin

Projekti për Liqenin e Kasharit parashikon që ai të kthehet në një plazh urban. Bashkia e Tiranës ka nisur diskutimet me grupet e interesit për ta kthyer liqenin e Kasharit në parkun e dytë më të madh, pas Liqenit Artificial. Ky projekt parashikon pista vrapimi, korsi për biçikleta, gara noti etj.

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për të sjellë në jetë projektin e kthimit të liqenit të Kasharit dhe zonën përreth tij në një park të dytë urban, duke ia shtuar qytetit edhe një mushkëri tjetër të gjelbër. Ndërsa, vuri në dukje se projekti i Parkut të Kasharit është një nga premtimet e bashkisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në prani të anëtarëve të Këshillit Bashkiak, urbanistëve dhe arkitektëve të ndryshëm, si dhe banorëve të zonës, prezantoi sot konceptin-idenë e Parkut të Kasharit, duke nismuar kështu edhe diskutimet me qytetarët për projektin final.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi Parkun e Kasharit si hapësirën e dytë më të rëndësishme çlodhëse dhe argëtuese pas asaj të Liqenit të Tiranës, si dhe u shpreh se ky park do të shfrytëzohet nga një pjesë e mirë e banorëve të Tiranës, kryesisht ajo e zonës veri-perëndimore e qytetit. “Ne synojmë që të ketë mbi 200 mijë banorë, të cilët do të mund të kenë mundësi ta aksesojnë këtë park, të cilët e kanë më afër këtë park se sa atë të liqenit të Tiranës”, theksoi Veliaj. Më tej, ai tha se investimi në këtë park është programuar të shtrihet në dy faza, deri në fund të këtij mandati, ku fillimisht parashikohen të bëhen ndërhyrjet e duhura për ta bërë më të jetueshëm, ndërsa më pas do synohet edhe kompletimi i tij me gjithë infrastrukturën dhe bazën e nevojshme materiale.

“Ne nuk i përgjigjemi baltës me baltë. Ne i përgjigjemi baltës me një zgjidhje konkrete, me punë konkrete, ndaj motoja e Bashkisë Tiranës është: Sa më shumë shpifin, aq më shumë u përgjigjemi me punë, sa më shumë fyerje, aq më shumë punë, sa më shumë baltë, aq më shumë punë. Kjo është mënyra se si ne i përgjigjemi histerisë, duke u munduar të bëjmë histori. Kjo është arsyeja pse një projekt i madh gjelbërimi do të funksionojë ose do të aplikohet edhe në këtë zone”, deklaroi Veliaj.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU