Plagosja me thikë në Lungomare, shkak një femër

Një konflikt me thika ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 mes dy të rinjsh.

E.P., 17 vjeç ka plagosur lehtë me thikë R.S., 21 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe të Vlorës.

Dyshohet se shkak për nisjen e sherrit ka qenë një vajzë.

Në momentin që dy të rinjtë janë takuar me njëri-tjetrin për t’u sqaruar, i riu 17-vjeçar në debat e sipër ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur njëherë.

I plagosuri mësohet se ka marrë vetëm plagë të lehta dhe pas marrjes së ndihmës në Spitalin Rajonal të Vlorës është larguar për në banesën e tij.

Pak orë pas ngjarjes, Policia nga marrja në pyetje e të plagosurit arriti të identifikonte autorin dhe ta arrestonte atë.

Do të pritet rimarrja në pyetje e 21- vjeçarit të plagosur si dhe e autorit të arrestuar për të mësuar më shumë mbi rrethanat e konfliktit që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë.

Gjithashtu, në pyetje nga ana e Policisë pritet të merret dhe vajza që u bë mollë sherri mes dy të rinjve vlonjatë.

Ngjarja ka ndodhur në pikun e sezonit turistik dhe në një prej zonave më të frekuentuara nga ana e turistëve dhe vizitorëve në qytetin bregdetar të Vlorës.

Debati mes dy të rinjve dhe më pas përdorimi i thikës, ka shkaktuar panik mes të pranishmëve në zonën e Lungomares.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU