Petro Koçi: Kur hidheshin themelet e Partisë Socialiste

Petro Koçi, megjithëse sot është kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë ’91, është një njeri që mund të identifikohet vetëm me fjalën “socialist”.  Në një rrëfim për emisionin “Shih Programin” në TVSH ai dëshmon jo vetëm për kohët e trazuara të krijimit të PS-së, por dhe tallazet që kanë kaluar në këto 25 vjet, ndaj nuk është e vështirë ta dallosh se është me shpirt dhe aktivisht një socialist i rendit të parë. Në një çerek shekulli Koçi është nga ata dëshmitarë dhe protagonistë që ka shumë se ç’të rrëfejë. Emrat e Nanos, Pëllumbit, Ruçit apo dhe Dritëro Agollit e Moikom Zeqos vijnë në këtë rrëfim të pazakontë të Petro Koçit.

1

Enkel Demi – Partia Socialiste është një aset kombëtar apo jo?

Petro Koçi – Është, po aq sa PD-ja apo dhe forcat e tjera historike.

Dita e shpalljes së PS-së është dita zero e saj, apo është pasuese e PPSH?

Jo, absolutisht që formësimi i Partisë Socialiste ishte një proces. Sigurisht që PS trashëgon vlerat e së majtës në të gjithë historinë majtiste të vendit, aq sa duhet pranuar që PS pas kongresit të X të PPSH hyri në një proces reformimi, hapjeje jo vetëm brenda vendit, por edhe ndaj mjedisit të jashtëm politik. Kjo nëpërmjet lidhjeve që u konsoliduan dhe deri tek antarësimi i PS-së në Internacionalen Socialiste.

Ky antarësim nuk ka ndodhur shumë shpejt apo jo?

Jo, ka ndodhur pasi PS erdhi në pushtet, pas 1997.

Petro Koçi si ngjau që u fut në politikë?

Në një farë mënyrë kam hyrë aksidentalisht. Kisha simpati për mënyrën më të butë, me të cilën prezantohej e majta në atë kohë. Nga ana tjetër nuk më pëlqente ajo gjuha e ashpër dhe gati e urrejtjes që shfaqte PD-ja. Kur PD-ja ka bërë mitingun e parë në Fier, aty e kuptova distanicimin. Retorika agresive e atyre që folën ishte e skajshme. Nuk më trembën tezat që u shfaqën aty, por forma e tyre agresive.

Cili është momenti kur ti hyn në PS?

Unë shkova për të marrë pjesë në atë që quhej si pleniumi i fundit i Partisë së Punës, duke hyrë pak jo dhe aq në përputhje me rregullat formale. Madje, mbaj mend që dikush tha: Mos e futni në mbledhje se ai është gazetar i RD-së, për shkak të flokëve të gjatë që kisha. Përfundimi im në fund të asaj mbledhjeje ishte që kjo parti duhej të shkrihej dhe të formohej një forcë tjetër politike. Kjo natyrisht nuk ishte teza ime personale, sepse po kuptohej tashmë se çfarë po ndodhte, por ajo mbledhje ishte vërtetë një demostrim që PPSH-ja duhej të shkrihej. Pastaj kam shkuar në atë që quhej mbledhje zgjedhore të degës së PS-së së Fierit dhe mua më kanë zgjedhur nënkryetar, edhe pse nuk isha anëtar i PS, edhe pse kisha një problem me zërin dhe nuk artikuloja dot, aq sa nuk dëgjohej as kundërshtimi im, sepse nuk kishte sens që të zgjidhesha unë. Më pas jam bërë kryetar i PS-së në Fier, në nëntor të vitit 1991, për të vijuar në këtë detyrë deri në ‘97.  Më pas u zgjodha Sekretar Organizativ i PS-së. Në atë kohë ka patur një fenomen të çuditshëm. Kishte jetë aktive politike. Partitë politike takoheshin shumë herë me njëra-tjetrën, kishte aktivitete të përbashkëta politike, atdhetare dhe sociale. Por, ndërsa PD e vazhdoi frymën e urrejtjes, nga pala jonë nuk kishte një frymë të tillë. Unë për shembull kryetarin lokal të PD-së e kam marrë në makinë për ta sjellë në Tiranë, “armikun” se ashtu duhej të shihej në atë kohë, por PD-ja kishte një lloj urrejtje personale, aq sa kam patur në jetën time episode dhunimi apo dhe burgosje. Komunitetet kosovare dhe çame demokrate në Fier, PD-ja i ka shpërdoruar tej mase. Fjala vjen, kujtoj zgjedhjet e Libofshës në 1994, kur u bënë zgjedhje vendore të parakohëshme, për shkak se ndërroi jetë kryetari i komunës dhe asaj kohe kujtoj se të gjithë elementët kriminalë të Fierit ishin në shërbim të PD-së dhe u përfshinë në atë fushatë, qoftë duke rrahur njerëz, nga qytetarët e thjeshtë dhe deri tek deputetët që po ndiqnin zgjedhjet, qoftë edhe në komisionet zgjedhore ku në vend të stilolapsit vihej koburja mbi tavolinë dhe kjo nuk bëhej fshehurazi, përkundrazi… Në ato proces zgjedhor ka nisur inkriminimi i gjithë procesit politik.

Është interesante se në zgjedhjet e 1991 Fieri nuk ndryshoi krah, të gjithë deputetët ishin të Partisë së Punës, ndërsa një vit më vonë situata nuk ishte më e njëjta?

Në 1991 të gjithë deputetët ishin socialistë, ndërsa u humbën shumë mandate një vit më vonë. Por, kjo ndodhi edhe për shkak të procesit të cënuar zgjedhor të asaj kohe. Kujtoj sërish Libofshën. Aty në ato zgjedhje u quajtën zgjedhjet e pavlefshme, por fitues u shpall kandidati i PD-së.

4

A keni marrë pjesë në Kongresin ku u krijua PS?

Po, po kam qenë në kongres, megjithëse nuk isha delegat dhe nuk isha as anëtar i PPSH-së. Kam qenë me Kiço London dhe shumë të tjerë. Një Fier ka patur një pjesë aktive intelektualësh të përfshirë në politikë. Delegatët e Fierit propozuan që e gjithë Byroja Politike të përjashtohet dhe mocionin e ka lexuar Kiço Londo. Dhe në fakt ashtu ndodhi. U bë një seancë me dyer të mbyllura dhe u mor vendimi që e gjithë Byroja politike të përjashtohej. Jashtë këtij procesi mbeti vetëm Ramiz Alia. Me kalimin e kohës e kuptova që rruga më e mirë ishte ajo e shndërrimit të PPSH-së në PS. E them këtë, sepse një rrugë tjetër mund të krijonte disbalanca të mëdha. Pra PS-ja u krijua dhe u rinovua tërësisht në të gjitha organet drejtuese dhe strukturat e bazës. Ndërkohë ish-komunistët jo vetëm që nuk u përfshinë, por ata vetë po tërhiqeshin ngaqë kishin një presion shumë të madh. Në atë kohë është dashur kurajoja e një pjese intelektuale që nuk kishte lidhje me të kaluarën. Para se unë të angazhohesha në jetën politike në Fier kanë ndodhur disa ngjarje. Për shembull u hoq busti i Enver Hoxhës dhe u rivu busti i Enver Hoxhës. Kur u rivu u bë një antimiting i madh. Retorika e atyre që e rivunë ishin e të njëjtit nivel ekstremizmi me PD-në. Dhe ai ishte një moment, kur konflikti politik mund të kthehej në konflikt social. Dhe ka patur ngjarje sporadike të njerëzve që janë konfrontuar për bindje politike, sidomos në 1991-1992. Bustin më pas e kam hequr unë me instrumenta paqësorë. Më është dashur që të punoj me shoqatën e veteranëve që e ruanin që t’ia mbushja mendjen ta hiqnin. Kurse, kur kam vajtur për herë të parë në degën lokale të PS-së së Fierit pas zgjedhjes sime kam gjetur tek salla e pleniumeve bustin e Enverit. Unë u kërkova që ta hiqnin. E hoqën ca gra pastruese, të cilat atë çfarë po bënin e përjetuan si tmerr, sepse ishte akoma e pakonceptueshme që të hiqje nga një sallë bustin e Enver Hoxhës.

Më the që asajkohe ka patur një idealizëm tek njerëzit në Fier, por a e gjeje këtë lloj idealizmi edhe në Tiranë, edhe tek drejtuesit e PS-së së asaj kohe?

Natyrisht që e gjeje. PS kishte një lidership intelektual përgjithësisht që pasqyronte nevojën politike të kohës që e majta të modernizojë dhe kjo do të vinte falë shndërrimit të trashëgimisë puniste në një platformë politike bashëkohore.

Cilët kanë qenë njërëzit që kishe politikisht besim në atë kohë në PS?

Kishte shumë, sepse kishte dhe shumë takime politike. Në Fier vinin pothuajse të gjithë: Nano, Sabit Brokaj, Ethem Ruka, por edhe intelektualë si Dritëro Agolli apo dhe Moikom Zeqo. Këta dy të fundit kanë patur një rol shumë të veçantë. Më kujtohet në Kongres, fjalimet e tyre ishin të jashtëzakonshëm. Mbaj mend që salla ka reaguar kundër Dritëroit, duke e dashur Dritëroin. Ai po thoshte disa të verteta që nuk pranoheshin lehtë. Por, prapë ata e donin Dritëroin dhe kishte një kujdes të veçantë që Dritëroi të fitonte. Në Kongres ka qenë poeti Frederik Reshpja dhe prania e tij në Kongres ka qenë një pasuri shumë e madhe. Jo të gjithë e kanë ditur dhe e kanë vlerësuar atë pasuri, por që kanë qenë elementë pikantë që tregojnë se në PS dhe në atë kohë kishte pasuri të mëdha politike, intelektuale që duheshin mirëadministruar.

Ju hynit tek grupi i të rinjve apo tek udhëheqësit e partisë?

Natyrisht që hynim tek grupi i të rinjve dhe natyrisht që ishim më tepër modernë sesa duhej, por mungesa e komplekseve ishte një hapësirë shumë e madhe.

Si mund të bashkëjetojë një 30 vjeçar me kulturë anglosanksone me njerëz me mentalitet të kufizuar, ndoshta tek verbëria ndaj partisë deri tek “Nëna” e Gorkit.

Besoj se është dashuria, jo vetëm për njeriun, por edhe për qytetin. Ajo që mund të duket si shumë retorike apo jo e ndershme, kur thuhet nga një politikan është dashuria për vendin, por ky lloj patriotizmi besoj se i zbut gjërat dhe eleminon diferencat. Por, nga ana tjetër dhe procesi bën të vetën. Veteranët vërtetë mund të mos duken modernë, por janë pjesa më idealiste që ka shoqëria. Sot Shqipëria, politika dhe shtetit vuajnë nga mungesa e idealizmit, e respektit për vendin dhe rregullat. Sot mungon urtia. Mjafton të shohësh Parlamentin. Edhe një burrë në moshë që është aty, është fatkeqësisht institucion regresist.

I referohesh Berishës?

Po.

Po Fatos Nano si ka qenë?

Nano ka qenë një lider i vertetë, frymëzues, intelektualisht i pakonkurueshëm. ishte tolerant, liberal, madje më shumë seç duhej, jo në vendosjen e disiplinës së tipit PD, por bie fjala se kur je në udhëheqje shtetërore disiplina duhet të jetë shumë më e lartë. Nano po të ishte shumë më i disiplinuar me vetveten do të ishte shumë më i suksesshëm.

E keni fjalën për ndonjë rrëshkitje në ves?

Jo, duhet ishte më punëtor dhe më sistematik, më rigoroz në punë. Në bilancin e tij i mbetet shumë pozitiv. Pjesa që e ka komprementuar atë është ajo që ndodhi pasi iku nga drejtimi i PS. U tregua infantile, kur besoi se Berisha do ta votonte për President dhe bëri disa akte dhe shfaqje, me të cilën u vetëquajt “tradhtar” i Partisë. Dita e pare, kur Rama u bë edhe moralisht kryetar i PS ka qenë pikërish dita kur Fatos Nano takoi Sali Berishën. Për mua ishte një gafë shumë e rëndë e Nanos.

Mbaj mend që e kam vizituar kur ishte në burg. Përpiqej që të shfaqej si optimist, por kur kemi dalë nga vizita, unë i kam thënë një kolegu që ishim bashkë se ai njëri ishte më sportiv seç duhej.

Momentin që ai hyri në burg, u frikësuat ju të tjerët?

Jo. Natyrisht, raste për të patur frikë ka patur shumë. Do të ishte mashtrim të thonim që ne kemi qenë vetëm trima, por trimëri është kur ti kryen detyrën edhe kur je në rrezik apo kërcënohesh.

Në një nga momentet më të ashpra të represionit, ti sulmohesh apo jo?

Mua më kanë marrë peng. Kam qenë duke ecur me një shok, Fatos Hasanin, ishte prill, koha e qeverisë së stabilitetit. Ishte pasdite, vjen një makinë e bardhë, zbret një person me kobure, me një fjalor të tmerrshëm dhe pasi më drejton armën patëm një debat. Ato çaste, mbaj mend se nuk dëshiroja asnjë gjë më shumë sesa nga pallati pas tij të dilte dikush në ballkon dhe të qëllonte mbi atë personin që më kishte drejtuar armën. Kurse në krah ishte një dyqan perimesh dhe ishte nje grua që u llahtaris. Pastaj më futën në makinë me forcë, më kanë sjellë vërdallë nja dy orë. Pastaj sigurisht që pati ndërhyrje që i sollën fundin atij episodi të shëmtuar.

I njeh personat që u përfshinë në atë ngjarje?

Sigurisht që i njoh.

Ke ndonjëfarë raporti me ta, i ke falur?

Unë nuk urrej askënd realisht. Problemi ishte politik në atë kohë, sepse ato elemente përdoreshin nga PD-ja. Ky lloj inkriminimi përdoret edhe sot, megjithëse është pak më i rafinuar. Por, ato kohë nuk ndërhynte as policia. Në ngjarjet e Libofshës, Namik Dokles gati i prenë gishtat dhe policia nuk ishte 100 metra larg, por vetëm 5 metra dhe nuk ndërhynte.

Në 28 maj 1996 ke qenë në Fier?

Po, kam qenë në Fier dhe të nesërmen kishim organizuar një protestë të vogël brenda oborrit të degës së PS, sepse e dinim që nuk do na jepnin leje autoritetet të protestonim më tej, sepse dihej se çfarë kishte ndodhur ndërkohë në Tiranë. Erdhën rreth 30 vetë dhe unë u mërzita shumë se ishin pak, aq sa thosha nuk kam pse të dal. Megjithatë dola dhe po denoncoja para 30 vetëve atë gjëmë kombëtare, kur vjen policia dhe tentojnë të hyjnë brenda duke goditur me shkopinj gome, na goditën fillimisht me mjete të forta dhe më pas qëlluan me armë selinë e partisë. Kjo solli dhe atë miting të papritur, sepse ne 20-30 vetë u rrethuam dhe po qëlloheshim nga policia. Kjo solli daljen në çdo rrugë që të çonte drejt selisë së PS-së së Fierit të popullsisë. Ne kishim disa tavolina shumë të gjata në seli dhe i vendosëm në shkallë. Aty ishte lokali i PS që kishte aranxhatat e famshme që ju i mbani mend. Ndërsa policia tentonte të hynte me dhunë në godinë ne i qëllonim me shishe. Kuptohet që problemi më i madh ishte që shumë nga djemtë që ishin aty do ta pësonin keq, ndaj po përpiqesha që të hyja në një marrëveshje që mua le të më merrnin, por njerëzit të mos e pësonin. Atë ditë arrestuan disa drejtues të pushtetit lokal, sepse po vinin drejt selisë. Pastaj ka ardhur me helikopter në Fier Arben Prrenjasi një ish-zyrtar i lartë i policisë dhe për shkak të asaj që kishte ndodhur me 28 maj ajo situatë u mbyll pa pasoja, pas tërheqjes së policisë.

Po marrëdhëniet me Servet Pëllumbin, Gramoz Ruçin, Kastriot Islamin dhe të tjerë eksponentë të lartë të PS-së së kohës si i keni patur?

Me thënë të drejtën ne të degës së Fierit më shumë vlerësonim Nanon, në raport me pjesën tjetër të udhëheqjes qëndrore të PS-së. Serveti ishte dhe mbetet një burrë i mirë. Por, profesori kishte një profil mbrojtës në politikë, jo sulmues, bënte analizë më shumë seç duhej. Por, ka qenë figura që bashkonte me atë mirësinë që shpaloste. Krijonte besim dhe përputhej me imazhin qytetar të PS-së. Sigurisht që ne e ndjenim që kishte njëfarë rezerve ndaj Nanos ai dhe nënkryetarët e tjerë të PS-së. Kjo ndjehej dhe ne e diskutonim shpesh mes nesh. Ndjehej tensioni dhe ai u shfaq më shumë në Kongresin e 1996. Aty pati dhe shumë fjalime kundër Nanos dhe ne na dukej se aty ishte një grup që megjithëse ai ishte në burg ishin të gatshëm të riburgosnin në një rrafsh tjetër.  Kurse me Gramozin gjërat ishin ndryshe. Ai ishte gjithmonë në palcën e PS-së, në kuptimin e mirëbesimit. Në qoftë se ndonjë figurë tjetër mund të dukej si me “hile”, Gramozi të krijonte përshtypjen se ishte besnik i platformës. Asajkohe mendoja që Gramozi duke qenë sekretar organizativ nuk duhej të ishte deputet. Kjo, sepse duke qenë në Fier e kuptoja se aspekti organizativ ishte shumë i rëndësishëm, gjë që i mungon edhe sot PS që sot është kthyer në parti elektorale.

Nuk të kam pyetur asnjëherë, përse Nano e nisi lëvizjen për katharsis në Fier?

Jo, ajo nuk ka qenë fillimi, por fundi. Aq sa kur Nano erdhi në Fier, njerëzit thërrisnin emrin tim, jo të tij, aq sa i kam thënë “ndal” se dukej sikur i kisha mësuar unë. Lëvizja për katharsis në fillimin e vet nuk ka Nanon, por ka të tjerë. Kur është bërë mbledhja e KPD-së në 2002, ka qenë fjala ime që kundërshtonte fenomenet qeverisëse të asaj kohe dhe mbaj mend që Anila Basha tek gazeta “Koha Jone” shkroi që “Sekretari organizativ flet si kryetar partie, kryetari si sekretar organizativ”. Pra, ishte një moment që Nano pasi ishte përfshirë në atë momentin e tij familjar; divorcin dhe rimartesën. Kishte një lloj tryesnie dhe shpresonte në një lloj mirëkuptimi nga qeveria që drejtohej nga Ilir Meta. Kjo zgjati ca dhe fillimi i katharsis ishte kur ai ka dalë tek “Opinion” dhe foli hapur. Pastaj Nano u bë lider i Lëvizjes dhe ajo ishte një lëvizje që tejkaloi PS-në dhe u kthye në një institucion shprese të madhe që shumë fenomene politike të eleminoheshin, por që ajo të çohej deri në fund duhej të shkonim në zgjedhje të parakohëshme dhe aty Nano e mbylli me një marrëveshje.

Takimi i Fierit më ka bërë shumë përshtypje sepse ai i njihte të gjithë…

Po, por unë e kam ndjerë gjatë gjithë kohës që nuk do t’i shkonte deri në fund. Më kujtohet, kur kemi qenë në Berat dhe foli ajo gruaja e famshme që tha: “Amani vetëm ju mos u zini, po ne populli le të rrimë dhe pa …”, kur jemi ulur pas mbledhjes, Meta nuk ndenji, Nanos i thashë: “I dashur Fatos, ne do të fitojmë edhe këtë betejë, por unë e di se njeriu i pare, me të cilin do të merresh do të jem unë, kur e gjithë kjo do të mbarojë”. Dhe kështu ndodhi, pavarësisht se ai u përgjigj: “Hë mo e dëgjoni shokun Petro seç thotë?!” Por ashtu ndodhi.

Sa herë më pyesin sa herë je zhgenjyer nga Fatos Nanoi iu përgjigjem vetëm një herë dhe vetëm në fund, sepse realisht jam zhgënjyer atëherë kur “tradhëtoi” politikën institucionale, pasi ishte bërë Rama kryetar partie dhe ai po e shpaloste si Lëvizja “Nano”, jo si politikë institucionale. Vetëm atë nuk e prisja sepse nuk e mendoja se do të tërhiqej, por ai u tërhoq.

Ajo që mua më bën përshtypje është që Petro Koçi nuk është në PS. Çfarë kuptimi ka të mos jesh pjesë e saj pavarësisht se çfarë ka ndodhur?

Unë bëra diçka pas ndryshimit te Kushtetutës dhe fatkeqësisht koha na dha të drejtë, sepse duke filluar nga Presidenti që është i njëanshëm, pra nuk është i të dy palëve dhe të mos jetë paragjykues. Pastaj hapin e parë për t’u rikthyer tek bashkëpunimi me PS e kam hedhur vetë pas zgjedhjeve të 2009. Qysh atëherë kam nisur procesin e përafrimit me PS-në dhe duhet ta them se nuk ndjehem jashtë PS. Më shumë ruaj këtë formalitet partiak për shkak të sistemit zgjedhor që kërkon për të fituar zgjedhjet duhet të ketë sa më shumë parti politike. Unë edhe në detyrën që jam sot nuk jam si kryetar i PSV’91, por si politikani apo socialisti Petro Koçi.

A është Shqipëria në një moment për të hyrë në zgjedhje të parakohshme?

Absolutisht jo. Forcat politike nuk janë të gatshme për t’u marrë me një proces zgjedhor tani. Të gjitha po mendojnë kohën e rregullt të mbajtjes së zgjedhjeve dhe nga ana tjetër ne jemi në një proces të një prej reformave më të rëndësishme të 25 viteve të fundit, reformë historike si ajo në drejtësi. Nëse duam që të kemi politikanë më të mbarë na duhet një shtet më i fortë që nuk bëhet dot kurrë po nuk patëm drejtësi më të pastër. Duhet t’u jemi mirënjohës ndërkombëtarëve për presionin që na bëjnë, sepse pa ta me siguri që nuk do të ishte bërë fare as kjo reformë. Me këtë nuk dua t’ia lë përgjegjësinë vetëm opozitës, sepse dhe segmente të mazhorancës, me siguri po të ishte për një vullnet të lirë disa elementëve që janë pjesë e saj, nuk do t’iu pëlqente kurrë që ta votonin. Kështu që unë uroj që të vazhdojë ky presion në mënyrë që të mos vonojë miratimi i kësaj reforme. (27.al / r.a)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU