Përse LSI është shpresa e vetme e Berishës!

Nga Mero Baze

Sali Berisha ka postuar sot një video të forumit rinor të LSI, të cilët në drekën e fundit të kampingut në Jalë, ishin duke u betuar për luftë në shtator. Ngjante paksa si një ritual i pagesës së faturës së kampingut, por që më shumë çmobilizon njerëz për luftë, se sa mobilizon.

Por ky është problem i modelit politik të LSI.

Ajo që është e pazakontë në këtë histori, është fakti që udhëheqësi shpirtëror i PD-së, ka mbetur një gjeneral që ushtarët e vetëm në horizont, shikon forumin rinor të LSI. Dhe nuk duket se ka faj.

LSI është një parti shumë më e qartë, më e strukturuar dhe më e gatshme për aksione. Nëse sot do të bënim një bilanc një vjetor të aksioneve të paralajmëruara të PD dhe fundin e tyre, do t’i japim të drejtë Sali Berishës.

Vjeshta e vitit të kaluar nisi me stuhinë ndaj Saimir Tahirit pas arrestimit të një bande vlonjatësh në Katania. Tahiri u tërhoq për të mos u bërë ngarkesë politike për PS, edhe pse deri më sot, nuk ka ende asnjë fakt nga dosja e famshme e kushërinjve të tij, që ta implikojë atë. Biles personi më i përfolur pse u ekstradua në Itali e nuk u gjykua në Shqipëri, u lirua nga gjykata italiane.

Komsioni heitmor për Tahirin mbeti rrugës dhe PD e harroi, për t’u kapur pas një flluske tjetër sapuni, që ishte “Babalja”.

Pas një inskenimi ordiner në përpjekje për të kapur vëllain e ministrit të Brendshëm, PD dhe vet Basha u investuan personalisht për ta provuar se ajo ishte e vërtetë.

Sot çështja është në Gjykatë. Prokuroria ka siguruar dëshmi nga personi që ka inskenuar ngjarjen, ndërsa “Babalja” është në Kosovë i larguar nga vendi për t’i shpëtuar drejtësisë.

Për të kuptuar se çfarë ishte ajo histori, mjafton të lexoni këto ditë replikat mes Myslym Murrizit dhe Jetmir Olldashit, njëri deputet i PD, e tjetri pjesë e projekteve të shtypit të PD për propogandë politike. Deputeti më luftarak i Lulzim Bashës, dhe kryetar i PD së Lushnjës, e akuzon njeriun e Bashës që prodhoi çështjen “Babale” si mashtrues, që diskretitoi PD me atë çështje. Pra, në fund të kësaj historie, Lulzim Basha nuk arriti t’i mbushë mendjen as Myslym Murrizit me “Babalen”.

Kështu, pasi u betua nja dy herë që Fatmir Xhafaj do kalonte mbi trupin e Bashës për në ministri, e harroi dhe u mor me godinën në krah të Xhafajt, Tetarin Kombëtar.

Duke i pëlqyer kauza e disa aktorëve për të ruajtur Teatrin e vjetër, PD u investua politikisht në një histori që nuk ka të bëjë fare me të. Si një institucion gjobëvënës, ajo filloi sulmet ndaj biznesmenit që do ndërtojë Tetarin përmes një ligji të veçantë, dhe tashmë nga çështje të aktorëve, e ka kthyer në kauzë të saj. Biles është aq banale, sa sheshi para Teatrit, është kthyer si çadra një vit më pare, ku shpalosen refleksione për programin e ri të PD, e nuk flitet më për Teatrin.

Me këtë rast, gjithë beteja e saj është përqëndruar më shumë kundër Erion Veliaj, se sa kundër Edi Ramës. Biles kundër Veliaj, po investohet dhe me incidente të pështira zjarresh të sajuara në çerdhe, me shpresë se do ta dëmtojnë para zgjedhjeve.

Kështu që këtë fillim shtatori, Sali Berisha nuk di se çfarë t’u thotë demokratëve. T’u thotë që Fatmir Xhafaj do kalojë për herë të tretë mbi trupin e tyre, ka frikë se ai kalon prapë. T’u thotë se Saimir Tahirin do ta fusi në burg gjykata italiane, ajo po liron dhe ata që u akuzuan. T’u thotë që Teatrin s’do ta ndërtojnë pa kaluar mbi trupin e Salianjit, ka frikë se do kalojnë.

Në këto kushte, Sali Berisha të vetmen gjë të qartë që ka parë këto ditë si opozitarë, ka qenë ai kori i “këmishkuqëve” të LSI, dhe e ka bërë entuziast.

Nuk ka faj. Të paktën ka parë diçka që e beson se mund të ndodhë. Tek PD me sa duket nuk shikon më asnjë shenjë. Dhe kur s’ke pulën tënde, do hash sorrën e botës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU