Përplasja më e fortë Rama-Meta deri më sot

Nga Eduard Zaloshnja

Në një republikë parlamentare si e jona, Presidenti i Republikës pothuaj nuk ka fare pushtet politik. Ai mund të kthejë një ligj mbrapsht në Parlament, por ky i fundit mund të vendosë ta rivotojë ligjin, pa i bërë asnjë ndryshim. Me pak fjalë, të gjitha politikat i vendos qeveria, me miratimin e parlamentit, dhe i ekzekuton po ajo, edhe pa miratimin e presidentit.

Po kur vjen puna për përzgjedhjen e ministrave që do të ekzekutojnë politikat e Qeverisë, Presidenti e ka peshën e vet. Pa dekretimin e tij, asnjë ministër nuk mund të largohet e as të emërohet. Kuptohet që Presidentit i duhet ta argumentojë mosdekretimin, duke u bazuar gjithnjë në kushtetutën e vendit dhe precedentët juridikë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e përdori këtë pushtet të tij për herë të parë në rastin e ministrit Lleshaj. Ai nuk e dekretoi fillimisht ministrin e propozuar nga kryeministri Rama, duke argumentuar se statusi i ushtarakut të Lleshajt nuk përputhej me një post politik. U desh që ky i fundit të shkëputej fare nga ushtria, që Meta ta dekretonte si ministër. Dhe ajo përplasje e vogël mes Metës e Ramës shërbeu si provë gjenerale për përplasjen aktuale, kur Rama synon të ndryshojë gjysmën e kabinetit qeveritar.

Rama i dorëzoi personalisht Metës, 17 kërkesa për ndryshime në qeveri pasditen e së premtes – 8 kërkesa për lirim ministrash dhe të zëvendëskryeministres, 8 të tjera për pasuesit e tyre, si dhe një kërkesë të 17-të për të rikthyer postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Të nesërmen, Meta firmosi pa asnjë hezitim lirimin e të gjithë ministrave të propozuar nga Rama, me përjashtim të Ditmir Bushatit, pa bërë me dije arsyet e këtij diferencimi.

Në të njëjtën ditë, Meta firmosi dekretet e emërimit vetëm për katër propozime të reja të Ramës. Të katërt janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ndaj (duke iu përmbajtur kushtetutës) Meta firmosi menjëherë emërimin e zëvendëskryeministrit të ri Erjon Brace, ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, Ministri i Bujqësisë, Bledi Cuci dhe të ministres së Marrëdhënies me Parlamentin, Elisa Spiropali. Ndërkohë nuk firmosi pesë dekrete emërimi, për kandidatët që nuk janë pjesë e Parlamentit. Në media është raportuar se për kandidatët jo deputetë, është duke u grumbulluar informacion nga agjencitë ligjzbatuese dhe se Meta do të shprehet brenda afatit kushtetues prej 7 ditësh.

Nuk mund të paragjykojmë se ç’do të bëjë Meta brenda afatit 7-ditësh, por beteja e shkurtër që bëri rreth dekretimit të ministrit Lleshaj dhe mosdekretimi i shkarkimit të Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm, të bëjnë të hamendësosh se një përplasje shumë më e fortë se ajo e mëparshmja do të zhvillohet mes Metës e Ramës.

Le ta fillojmë nga Bushati. Mund të qarkullojnë lloj-lloj teorish nëpër portale, rrjete sociale dhe kafenera rreth vendimit të Metës për të mos firmosur largimin e Bushatit nga qeveria, por unë jam i prirur ta shoh çdo veprim të politikanëve nga një këndvështrim elektoral.

Bushati ka qenë për shumë vite drejtuesi i fushatave elektorale në Shkodër, një bashki ku PS-ja nuk ka arritur të fitojë ndonjë herë. Pavarësisht nga ngarkesa në Ministrinë e Jashtme, Bushati ka shkuar rregullisht në Shkodër, për të ndjekur situatën politike lokale dhe për të kultivuar lidhjet lokale, aq të vlefshme për kohë fushatash elektorale. Duke mos firmosur shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Jashtëm, Meta bën praktikisht një diversion mes Ramës e Bushatit (pavarësisht se cila mund të jetë arsyeja e vërtetë e mosfirmosjes). Një Bushat i mërzitur nga shkarkimi dhe “i mbrojtur” publikisht nga Meta, nuk mund të jetë më aq efektiv në fushatën zgjedhore që po troket tek porta.

Rama e ka ëndërr një fitore në bashkinë e Shkodrës, bastionin e pamposhtur të së djathtës. Një fitore e kandidatit të tij atje do të përbënte një goditje fatale për moralin e opozitës. Prandaj dhe bashkia e Shkodrës është e vetmja që ai e sulmon pa pushim – bashki të tjera ku qeverisin përfaqësues të opozitës kritikohen rrallë nga Rama. Një ftohje e Ramës me Bushatin, politikanin kyç për përmirësimin e rezultatit elektoral në Shkodër, do t’i ulte fare shanset për ndonjë befasi elektorale të PS-së në Shkodër.

Ministrat e padekretuar ende nga Meta nuk kanë ndonjë peshë politike individuale (ndryshe nga rasti i Bushatit), por zvarritja e dekretimit hap lojën e hamendjeve dhe thashethemeve nëpër portale, rrjete sociale dhe kafenera rreth biografisë së këtyre personave. Kjo zvarritje dhe stuhia e thashethemeve që do ta pasojnë e ul efektin elektoral të lëvizjes së fortë që bëri Rama.

Duke reflektuar për koston elektorale që mund të kishin thashethemet që qarkullonin për shumë nga ministrat e tij, Rama propozoi shkarkimin e tyre dhe futjen në qeveri të njerëzve të rinj, emrat e të cilëve mezi gjenden edhe me Google. Kuptohet që këta persona nuk mund të sjellin valenca elektorale (pasi pak njerëz i njohin), por të paktën nuk do të sjellin kosto elektorale, pikërisht se shumë pak njerëz i njohin.

Dhe këtë efekt të supozuar elektoral të lëvizjes së Ramës e shfryn disi pikërisht zvarritja e Metës. Sa më shumë të gërmojnë njerëzit e portaleve dhe rrjeteve sociale (si dhe njerëzit e presidencë dhe opozitës), aq më shumë thashetheme do të qarkullojnë rreth të shkuarës së ministrave të rinj.

Në fund të përplasjes Rama-Meta, ky i fundit mund t’i dekretojë të pesë ministrat e rinj, si dhe të dekretojë lirimin e Bushatit, por një dëm elektoral për PS-në, sado të vogël, zvarritja e tij do ta shkaktojë. Nëse kjo ka qenë arsyeja e zvarritjes, apo ka edhe arsye të tjera, vetëm Ilir Meta e di tamam…(afp)

a.c

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU