“Përjashtimi i deputetit më të fortë, rast i paprecedentë”

E ka quajtur të paprecedentë në historinë e parlamentit, vendimin e Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Bylykbashi tha se Berisha propozoi ndryshime në legjislacion për armëmbajtjen sipas modelit amerikan. Sipas tij në kuadër të vendimit të Byrosë, vendimi i grupit të PD për bojkot është mëse i drejtë.

“Vendimi për bojkot të plotë gjatë gjithë javësh është shumë i i fortë por më i drejti. Është diçka e paprecedenë në parlament ajo që ka ndodhur. Deputeti i Parlamenti, ish-kryeministri, lideri politik me një eksperiencë të pakrahasueshme bën një propozim për legjislacion të ri, një çështje që mund të diskutohet sa të duash por lidhet me situatën ku janë qytetarët sot. Shteti palë me krimin, qytetarët nuk kanë siguri për pronën e tyre, veten e tyre. Propozimi ishte i qartë për ndryshime në legjislacion, deputeti dënohet për shprehjen e idesë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë”, deklaroi Bylykbashi.

Sipas tij, Rama ka goditur opozitën dhe ka ndëshkuar deputetin më të fortë të parlamentit shqiptar.

“Në këtë situatë kemi qartas një veprim të kryeministrit Edi Rama për të goditur opozitën për të ndëshkuar deputetin më të fortë që ka parlamenti shqiptar. Ishte ai që ka denoncuar edhe Shullazin, që solli veprime të prokurorisë e më pas arrestimin e tij”, tha Bylykbashi.

Nga ana tjetër Bylykbashi theksoi se Rama ka bërë pakt me djallin, ndërsa krimi i organizuar ka shkelur me dy këmbët Kushtetutën. “Rama merr një veprim duke urdhëruar Byronë Parlamentare, për të marrë një akt të tillë për një deputet. Jemi në thyerjen e një të drejtë themelore, kushtetuese, për të përfaqësuar interesin e popullit, për tu mbrojtur nga krimi, për një propozim ligjor. Pakti me djallin, ishte krimi i organizuar dhe shkel me të dyja këmbët Kushtetutën.”, tha ai.

Sakaq, deputeti i djathtë theksoi se situata e rendit dhe sigurisë në vend është e rëndë. “Situata e rendit është keq. Pala tjetër nuk e mendon kështu, pasi është pala tjetër që arsyetoi që u lidh me krimin që të vinte në pushtet. Nëse je i qartë, në këtë marrëveshje me krimin, nuk mund të thuash se ka kriminalitet. Bandat kriminale po shkojnë tek biznesi dhe nëse nuk i paguajnë i pret e zeza.”, pohoi Bylykbashi. Teksa u pyet nëse selia blu do të ndërmarr një nismë për të vijuar atë që deklaroi dhe ish-kryeministri Sali Berisha, që qytetarët të armatosen, Bylykbashi theksoi se ky është një vendim që i takon PD-së.

“Sali Berisha kërkoi që qytetarët të armatosen mbi bazën e një ligji. Pra, qytetarët të kenë të drejtë të mbrohen. Pra do të thotë se ka rënë shteti dhe në këto kushte nuk ka as drejtësi. Ai u dërgoi shqiptarëve një mesazh të fortë. Ndërsa nisma ligjore mbetet në vendimmarrje e PD-së. Sot vendimi i PD ka qenë që të bojkotohej në mënyrë të plotë gjatë kësaj jave për vendimin që u mor ndaj deputetit Berisha. Shqiptarët e kanë mundësinë të gjykojnë edhe ato deklarata sharlatane që të kuptojnë se ku qëndron e keqja.”, bëri të ditur Bylykbashi.

Ai tha se Rama po bën çdo gjë që t’i mbyllë gojën opozitës. “Dakordësi është kur maxhoranca respekton opozitën. Është e qartë që maxhoranca është aq e bindur në paktin me krimin që ka sa është e vendosur të bëjë çdo gjë për t’i mbyllur gojën opozitës”, tha deputeti i PD-së.

Duke komentuar deklaratat e Ramës për vendimin e PD për bojkot, Bylykbashi tha se është kryeministri ai që nuk e do reformën në drejtësi pasi sipas tij, ministrat janë të korruptuar.

“Hall i madh e ka zënë zotin Rama me reformën në drejtësi. Ne kërkuam miratimin e paketës që do të bëjë të mundur krijimin e njësisë anti-korrupsion që ministrat e korruptuar të zotit Rama dhe kriminelët të shkojnë para drejtësisë. Procesi që ka nisur për Shullazin, Rama do të bëjë ç’ështe e mundur që ta nxjerrë, dje u tërhoq një dëshmitar.  Kjo qeveri nuk të jep asnjë lloj garancie. Të flasë zoti Rama për reformën në drejtësi, ndërkohë që është në pakt me krimin?! Rama po bën avokatinë e krimit të organizuar. Në sytë e qytetarëve është avulluar në sekondë teoria e tij se po bën shtet”, tha Bylykbashi.

Sipas tij, Rama do të bjerë dakord me PD-në për reformën në drejtësi për standardet e Komisionit të Venecias.

“Komisioni i Venecias ka bërë kritika themelore për draftin e qeverisë, zoti Rama do të bjerë dakord me PD me atë që janë standardet e Komisionit të Venecias. Reformë në drejtësi me kryeministrin e zhytur në krim është e zorshme ta besojnë qytetarët në Shqipëri”, tha ai.

Deputeti demokrat ka mbajtur pothuajse një qëndrim të përafërt edhe për reformën në drejtësi.

“Një gjë është shumë e thjeshtë. Zgjedhjet janë shumë të thjeshta, ju si zgjedhës keni të drejtë të zgjidhni një kandidat në sekret dhe liri të plotë. Zgjedhjet janë kaq të thjeshta dhe nuk kanë nevojë me 200 nene siç është kodi shqiptar. E gjithë kjo tregon mungesë vullneti pozitiv. Ka lidhje me vullnetin politik për të bërë zgjedhje. Krimi nuk mund të jetë pjesë e procesit zgjedhor”, tha Bylykbashi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU