Artan Cuku nuk ka qëlluar me armë për t’u vetëmbrojtur. Ekspertiza ka zbuluar se ish-drejtorit të policisë së Vlorës nuk i janë gjetur gjurmë baruti. Ky rezultat ka shtuar dyshimet se kanë qenë dy persona të cilët kanë qëlluar ndaj Cukut. Përgjigjet e para të Laboratorit të kriminalistikës kanë konfirmuar se në duart e Artan Cukut jo vetëm që nuk i janë gjetur gjurmë baruti, por nuk i janë gjetur as shenja të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Duke qenë se u gjetën dy lloj gëzhojash në vendin e ngjarës, policia dyshoi se komisari kishte qëlluar ndaj tij. Hetuesit tashmë janë në kërkim të dy personave që mund të kenë qëlluar ndaj ish- zyrtarit të policisë. Dyshohet se personi i parë nuk ka qëlluar në shenjë dhe komisari mund të jetë përleshur me të. Për këtë arsye është afruar atentatori i dytë, i cili gjithashtu ka qëlluar në drejtim të Artan Cukut.
Sipas raportit mjeko-ligjor në trupin e ish-drejtorit të policisë së Vlorës janë gjetur 4 plumba, 3 në trup dhe 1 në kokë. Edhe dëshmitë që kanë dhënë në polici të afërmit e Cukut, se ai nuk mbante armë, apo që kanë parë dy persona poshtë pallatit, kanë konfirmuar tashmë se kanë qenë dy atentatorë që kanë qëlluar në drejtim të ish-komisarit.