Përbërësi i marihuanës ngadalëson rritjen e tumoreve

“Pacientët me kancer nuk do të duhej të përdornin kanabis për t’u vetëmjekuar”, tha Peter McCormick, “por shpresoj se hulumtimet tona do të çojnë në një ekuivalente të sigurt sintetike e cila do të jetë në dispozicion në të ardhmen”. Studimi i ri tregon se tetrahidrokanabinoli, ose THC – përbërësi kryesor psikoaktiv në marihuanë – ndikon në ngadalësimin e rritjes së tumorit, transmeton koha.net.

 

Studimet e mëparshme kanë demonstruar efekte të tilla në eksperimentet laboratorike që përfshinin minj me tumore të trurit, por studiuesit thonë se hulumtimi më i ri e izolon mekanizmin e zvogëlimit të tumorit. Studimi i fundit përfshiu minj që kishin tumore të rritura nga qelizat e kancerit të gjirit të njeriut.

Kur tumoret u ekspozuan ndaj THC, ato edhe një herë u tkurrën dhe përfundimisht vdiqën. Por hulumtuesit ishin në gjendje të dallonin se ku po ndodhte efekti antikancerogjen, në receptorët CB2 dhe GPR55.

“Duke i identifikuar receptorët e përfshirë, ne e kemi ofruar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të ardhshëm të terapive të cilat mund të përfitojnë nga bashkëveprimet që i kemi zbuluar për ta reduktuar rritjen e tumoreve”, tha Peter McCormick, studiues në shkollën farmaceutike të universitetit East Anglia dhe autor i studimit të ri, të publikuar këtë javë në “Journal of Biological Chemistry”. McCormick thotë se këto zbulime nuk nënkuptojnë që pacientët me kancer duhet të fillojnë me përdorimin e marihuanës.

“Hulumtimi ynë e përdor një përbërje kimike të izoluar dhe përdorimi i përqendrimeve adekuate është me rëndësi jetike”, shtoi McCormick. “Pacientët me kancer nuk do të duhej të përdorin kanabis për t’u vetëmjekuar, por shpresoj që hulumtimet tona do të çojnë në një ekuivalente të sigurt sintetike, e cila do të jetë në dispozicion në të ardhmen”.

Qeveria federale amerikane ende e klasifikon marihuanën si një droge të rrezikshme – në të njëjtin nivel me heroinën dhe LSD-në – “pa përdorim të pranueshëm aktual mjekësor.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU