Për Kadarenë dhe Bonapartin

Nga Lorenc Vangjeli/

Citojnë shpesh Napoleon Bonapartin të ketë thënë se në vezmet e çdo ushtari ndodhen spaletat e një gjenerali. Kjo është një nga mijëra shprehjet e mençura që i atribuohet Perandorit – Diktator dhe gjeneralit të madh që u bë diktator për shkak të ëndrrës për të qenë Perandor. Ndër të tjera, francezi që mposhtin Evropën, i ka lënë trashëgimi Evropës – që nga koha kur e kishte atë nën këmbë – edhe një nga medaljet më të rëndësishme: dekoratën e Legjionit të Nderit. Një mdalje që shpërblen individë të shquar prej më shumë se dy shekujsh.

Ismail Kadare, Sulltani Perëndimor i letërsisë jo vetëm evropiane, është një nga të dekoruarit e këtij viti. Në xhaketën e tij të ceremonive nuk ka mbetur shumë vend për dekorata që japin njerëzit. Një më shumë dhe një më pak për vetë Kadarenë, nuk përmbën më lajm prej kohësh. Një akt i tillë është lajm për bashkëkohësit e tij, për lexuesit e veprës së tij sot dhe ata që do të duan të njohin nesër Shqipërinë dhe vetë botën e madhe njerëzore, të parë nga sytë e ndërlikuar të shqiptarit Kadare. Dhe jo vetëm Shqipërinë, por kryesisht njeriun, atë të lindur nën diktaturë, që jeton nën diktaturë, që kërkon lirinë e diktaturës apo dikton vetë diktaturën. Atëherë dhe tani. Dje dhe mot. si vetë jeta që është gjithëherë nën diktatit e kohës me ardhje, qëndrim të trishtë dhe ikje herë të heshtur e anonime e herë të bujshme e vetëtitëse.

Në sirtaret e Kadaresë si Gjeneral nuk ka më vend për spaleta të tjera. Ose edhe nëse i afrohen, nuk shtojnë gjë të madhe. Ose ndoshta shtojnë një qortim të heshtur më shumë për kujtesën. Kujtesë për atë që ndodh zakonisht kur vitet ndërrojnë njëri-tjetrin në ndjekjen e njëri-tjetrit si në karusel. Eshtë ndoshta për kujtesën e gjithë të tjerëve që në fillimvit si zakonisht urojnë shëndet (si një e mirë e domosdoshme), fat (si një koncept që përmbledh gjithë mirësitë e mundshme që sjell hera) dhe para (si një mjet që mund të blejë edhe shëndetin, edhe fatin). Çfarë është pastaj shpirtërore është pak e vështirë të thuhet dhe të urohet. Barku i mbingopur nga beteja për pritjepërcjelljen e Vitit të Ri, tretja e vështirë, meraku për kilogramët e një pjese ose beteja për të ushqyer barkun, rendja me pahir drejt luksit të disa kilogramëve më shumë dhe mezitretja që konsiderohet bekim dhe jo mallkim për një pjesë tjetër, është kusuri tjetër i botës tjetër që ka sjellë diktatin e saj mbi botën e shpirtit. Kadare dhe dekorata e tij e rradhës kujtuan këtë botë në këtë fillimvit. Që megjithatë ekziston edhe kur e kujtojnë shumë pak. E ndoshta për këtë arsye, bëhet dhe më e ndjeshme. Si shkëlqimi qoftë dhe i një qiriri në terr. Eshtë botë kontrastesh. E kujtoi këtë fillimvit në Tiranë, Napoleoni dhe Kadareja.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU