PDK-ja kallëzon penalisht VV për punësimet

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka depozituar një kallëzim penal kundër qeverisjes së Shpend Ahmetit për punësimet partiake të afër 500 aktivistëve të Vetëvendosjes në administratën e Komunës së Prishtinës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Këtë kallëzim penal kundër Shpend Ahmetit dhe disa drejtorëve të tij, përfshirë edhe ish-sekretarin e Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, i cili dyshohet se me listë ka punësuar militantë të partisë, dega e PDK-së së Prishtinës e kanë deponuar në Prokurorinë Speciale”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

“Për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Krim i Organizuar nga neni 283, paragrafi 1, lidhur me nenin 422, paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 të KPRK-së, ku me dashje direkte dhe me vetëdije, me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të grupit të organizuar kanë krijuar favore për persona të caktuar në kundërshtim me nenin 12, paragrafin 4 të Ligjit për Shërbyesit Civil nr. 03-L149, duke mos zbatuar procedurën e rekrutimit – konkursin publik kanë bërë punësime të kundërligjshme.

Në vitin 2015 kanë bërë punësimin në mënyrë të kundërligjshme të 276 personave dhe në vitin 2016 kanë bërë punësimin në mënyrë të kundërligjshme të 210 personave. Gjatë kësaj periudhe, duke kryer vepra penale, kanë bërë punësimin e gjithsej 486 personave”, thuhet në kallëzimin penal të PDK-së së Prishtinës.

Sipas PDK-së nga këto veprime të kundërligjshme, sipas raporteve zyrtare, dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth dy milionë e treqind mijë euro. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU