PD, letër Ruçit: Të shkarkohen Xhafaj dhe Veliu, penguan komisionin ‘Tahiri’

Partia Demokratike i dërgoi një letër Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku akuzoi Ministrin e Brendshëm se ka penguar qëllimisht Komisionit që do të hetonte përfshirjen e qeverisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke fshehur informacionin dhe dokumentat.

“Edhe pse Komisioni Hetimor, që prej muajit Prill 2018, ka kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, deri më sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin, Komisionit nuk i është vënë në dispozicion asnjë e dhënë apo dokumentacion i kërkuar, duke pamundësuar punën e tij. “-thuhet në letrën e Palokës.

Në letrën drejtuar Ruçit, Paloka shprehet se “pengimi i Komisionit Hetimor është bërë me qëllim për të fshehur gjurmët e lidhjes së Qeverisë me krimin e organizuar dhe për asgjësimin e informacioneve dhe provave që përfshijnë në veprimtari kriminale vëllain e dënuar për trafik droge të Ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe vetë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste si Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Jyrgys Çyrbja, etj. “

Edi Paloka thekson se heqja e të drejtës kushtetuese të opozitës për të kontrolluar qeverinë shënon fundin e parlamentarizimit dhe është dhunim flagrant i demokracisë funksionale në vend.

Partia Demorkatike i kërkon Kryetarit të Kuvendit të marrë masa për përgjegjësit e pengimit të qëllimshëm të Komisionit që do të hëtontë përfshirjen e qeverisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.

“Kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë qëndrim të prerë ndaj aktit të pengimit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, duke marrë masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë politike dhe ligjore Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pengimi i qëllimshëm i Komisionit Hetimor përbën shpërdorim detyre, që sjell shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi penale.” –thuhet në letrëne Palokës.

Duke vënë në dukje përfundimin e afatit të Komisionit Hetimor sot, më 5 Shtator Kryetari i Komisionit Hetimor, Edi Paloka, kërkoi në emër të Partisë Demokratike shtyrjen me 3 muaj të tjerë të veprimtarisë së Komisionit.

Komisionit Hetimor u ngrit këtë vit për të kontrolluar përfshirjen e qeverisë, nëpërmjet Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Policisë së Shtetit në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, nuk ka dhënë asnjë rezultat.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU