PD bojkoton mbledhjen e ekspertëve për Reformën në Drejtësi

Partia Demokratike dhe ekspertët e saj në çështjet e drejtësisë kanë bojkotuar mbledhjen e parashikuar për këtë të mërkurë në lidhje me Reformën në Drejtësi. Demokratët kërkojnë që t’i jepet zgjidhje politike dhe me konsensus çështjeve që u lanë pezull gjatë mbledhjes së djeshme, siç është ajo që ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së funksionarëve të lartë të drejtësisë dhe formulës së votimit. Demokratët refuzojnë që votimi parlamentar për cështje të rëndësishme të reformës të bëhet me 3/5-tat e votës duke arsyetuar se me një votim të tillë çimentohet kapja e drejtësisë nga ana e mazhorancës, e cila i ka numrat e kartonave. Përkundrejt kësaj, ekspertët demokratë kërkojnë një zgjidhje me konsensus politik, që do të siguronte një pavarësi të plotë të gjyqësorit dhe përvijimit të reformës, larg duarve dhe pushtetit të mazhorancës.

Gjithashtu, mësohet se ekspertët demokratë kërkojnë që debatet për reformën në drejtësi të nisi në nivelin e tyre politik, duke lënë mënjanë kështu diskutimet teknike, të cilat sipas saj janë shteruar pas ardhjes dhe të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, që sipas opozitës duhet të jetë udhërrëfyesi kryesor i reformës.

Ditën e djeshme, eksperti i PD për drejtësinë, Enkelejd Alibeaj tha se mazhoranca duhet të ndjekë opinionin e Komisionit të Venecias dhe të heqë dorë nga votimi me 3/5-tat i ndryshimeve kushtetuese.

Ftesa që unë kam bërë në komision ka qenë pikërisht kjo. Këto çështje të kalojnë për të gjetur një kompromis politik midis atyre që përfaqësojnë dhe flukset politike në Parlament. Thirrja e ekspertëve të PD ka qenë që krerët politike të mazhorancës Rama dhe Meta të jenë ata të cilët ti ofrohen dhe të përqafojnë zgjidhjen që i kanë dhënë opinioni i Venecias.

“3/5 është një shumicë e cila kap sistemin e drejtësisë, e kap sot,  e kap edhe më vonë dhe që është një zgjidhje e cila është e atakuar fuqimisht nga Komisioni i Venecias, e cila ka thënë shprehimisht; aplikimi i një shumice prej 3/5 në kushtet aktuale kur kjo shumicë është sot e kontrolluar nga mazhoranca çimenton kapjen politike. Kështu që në këto kushte, megjithë vullnetin tonë të mirë për të ofruar bashkëpunimin teknik për të gjetur zgjidhje teknike, kam dhënë si zgjidhje në tryezën e ekspertëve që çdo hap tjetër pa tejkaluar këtë lloj ngërci,  që mund të zgjidhet vetëm mbi bazën e kompromisit politik midis aktorësh politikë, drejtuesish kryesor, do të ishte thjesht dhe vetëm një kozmetikë. Pa zgjidhur këtë çështje pjesëmarrja jonë do të ishte vetëm dhe thjesht kozmetikë. Nuk jemi për kozmetikë në komisionin ekspertëve dhe jo vetëm kaq, ne kemi treguar gjatë gjithë kohës që jemi të hapur të ofrojmë kontributin tonë më të lartë në këtë komision.” Ka thënë ditën e djeshme Alibeaj.

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU