PD, Basha vendos: Zgjedhje brenda shkurtit

Demokratët kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme, duke vënë në funksion të saj të gjitha strukturat e partisë si në qendër ashtu edhe në bazë, shkruan Gazeta Shqiptare. Mësohet se lideri i opozitës, Lulzim Basha ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, duke kërkuar të bëhen zgjedhje të reja në disa prej tyre.

Sipas burimeve konfidenciale për GSH, Basha ka kërkuar gjithashtu që të përfundojnë organizimet e strukturave të kësaj partie. Burimet theksojnë se Basha u ka lënë afat drejtuesve aktualë që të përfundojnë punën e tyre brenda muajit shkurt. Urdhri i Bashës konkretisht ka qenë që deri në fund të shkurtit të jenë gati të gjitha degët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike si dhe të bëhen zgjedhjet e Lidhjes së Gruas në këtë parti.

Gjithashtu, Basha ka urdhëruar që brenda këtij afati kohor të kenë përfunduar edhe zgjedhjet e reja brenda 61 degëve të Partisë Demokratike. Duket se zgjedhjet brenda PD-së dhe organizimi i plotë i FRPD-së janë sinjale se opozita e vendit po përgatitet për zgjedhje të parakohshme brenda 6-mujorit të parë të vitit 2016. Qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme janë dy nga kërkesat e PD-së kundër varfërisë dhe keqqeverisjes nga Rama. Me fillimin e vitit të ri, kryetari Lulzim Basha pritet ta fokusojë axhendën e tij në dy drejtime: në forcimin dhe organizimin e strukturave të partisë, e paralelisht me këtë me aksionin e protestave.

Basha do të thërrasë brenda kësaj jave sekretariatin, për të përcaktuar tri çështje të fillimvitit në Partinë Demokratike. Në axhendën e kësaj mbledhjeje diskutimi do të fokusohet për të përcaktuar hapat e fundit për mbylljen e procesit të analizës së zgjedhjeve të 21 qershorit.

Po ashtu, pas përmbylljes së kësaj faze të analizës së zgjedhjeve, në këtë takim do diskutohet për masat dhe grupet e punës të përcaktuara për forcimin e strukturave të PD-së në bazë, kjo duke iu referuar konkluzioneve të procesit analitik të 21 qershorit. Së treti, në këtë takim parashikohet që vëmendja të fokusohet në aksionin politik të opozitës, në themel të të cilit mbeten protestat kundër qeverisë, deri në krijimin e qeverisë teknike, e më pas mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Balkanweb

 

 

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU