Pasuritë e paluajtshme, investimi kthim më të lartë se nga depozitat

Pasuritë e paluajtshme po shihen si një alternativë shumë e mirë për investimin e fondeve të lira si nga emigrantët, ashtu edhe qytetarët shqiptarë që kanë depozita në banka.

Dritan Caka, nga DEV Informacion me objekt kryesisht në blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, pohoi se që kur ka nisur rënia e normës së interesit ndaj kursimeve në banka ka një interes të shtuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe kjo po vihet re sidomos këtë vit.

Caka tha se shitjet e pasurive të paluajtshme janë rritur me të paktën 12% këtë vit në krahasim me 2014. Sipas tij, shumë qytetarë po i shohin pasuritë e paluajtshme sidomos banesat, si një mundësi e mirë për kthimin investimit.

Duke blerë një shtëpi me destinacion qiradhënien, interesi vjetor minimalisht është mbi 4% ose 300% më i lartë se interesi që bankat ofrojnë aktualisht.

Të njëjtën tendencë ka pohuar edhe Banka e Shqipërisë. Indeksi i çmimit të banesave u rrit 5.4% në tremujorin e tretë, pas rritjes me 2.3% një tremujor më parë. Banka ka gjetur se zhvillimet në çmimet e tregut të pasurisë së paluajtshme gjatë tremujorit të tretë janë karakterizuar nga gjallërimi i kërkesës dhe nga rikuperimi i ofertës për banesa.

Bazuar në vrojtimin e besimit të ndërtimit, kërkesa në ndërtim ka regjistruar përmirësim. E njëjta prirje konfirmohet edhe nga vrojtimi i aktivitetit kreditues, sipas të cilit bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi hipotekore.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU