Pastruesja 16-vjeçare dhe i dashuri i grabisin 112 mijë euro biznesmenit

Një minorene 16- vjeçare, i dashuri i saj dhe dy shokë të tyre kanë vjedhur një total prej 112 mijë eurosh, bizhuteri floriri dhe pajisje elektronike në vilën e një biznesmeni në kryeqytet.

Paratë dhe sendet me vlerë janë vjedhur në dy episode të ndryshme, përkatësisht 15 dhe 95 mijë euro në janar-shkurt të vitit 2015. Në një prej rasteve, autorët janë futur “si zotërinj” në banesën e “shënjestruar” përmes derës kryesore.

Ata kanë përdorur një çelës, që ishte siguruar nga e mitura. Ajo i kishte bërë një kopje fshehurazi çelësit që mbante pastruesja e banesës, të cilën e kishte kushërirë. Për vjedhjen e dytë ata janë futur nga një derë ballkoni e lënë hapur, në një kohë që e mitura dhe i dashuri i saj kanë bërë roje.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj tyre. Ata u shpallën të fajshëm për veprat penale të “vjedhjes me dhunë” dhe “vjedhje” e u dënuan me një total prej 36 vjetësh heqje lirie. E mitura u fajësua dhe për “moskallëzim krimi” dhe “përvetësim të parave apo mallrave që rrjedhin nga vepra penale”.

Të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së këtij dënimi, për shkak se çështja në ngarkim të tyre u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar./Panorama

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU