Ministrat, Blendi Klosi dhe Ditmir Bushati kanë vizituar panairin e Artizanatit në shëtitoren e Velipojës, ku edhe vizituan stendat e paraqitjes dhe tregtimit të produkteve të zonës. Dy ministrat vunë theksin tek mundësitë që duhet të shfrytëzohen nga zonat me tradita me prodhime tipike vendase.
Në fjalën e tij, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Klosi i bëri një apel të gjithë përpunuesve të produkteve shqiptare, që të shfrytëzojnë lehtësirat fiskale të ligjit të zejtarisë dhe agroturizmit, për të rritur ekonominë e tyre familjare.
“Zona e Velipojës, zona e Shëngjinit, gjithë zona në të cilën ne po zhvillojmë këto aktivitete ka shumë për të promovuar, nuk ka vetëm turizmin e detit dhe të rërës, por ka disa pika të cilat në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare afrohen si agroturizëm dhe sot këtu janë afruar disa nga këta prodhues. Shikoj me kënaqësi që për turistët e huaj kjo është një surprizë dhe mendoj që do të vazhdojmë me këto aktivitete gjatë gjithë zonës turistike të Shkodrës, duke vazhduar me Festën e Krapit në Shirokë e më pastaj për të shkuar në Panairin e Kulinarisë që do të zhvillohet në shëtitoren e qytetit të Shkodrës”, tha Blendi Klosi.
Ndërsa ministri Bushati vlerësoi organizimin për herë të parë të këtij panairi duke u shprehur se është detyra e të gjithë aktorëve që ta shndërrojnë këtë aktivitet në një traditë për të promovuar zonën.
“Është detyra jonë për ta kthyer këtë në një traditë të madhe dhe është detyra jonë për ta pozicionuar Velipojën por edhe pjesën rreth e përqark, grykëderdhjen e Bunës, pjesën e Shëngjinit dhe të gjitha perlat ndërmjet këtyre dy plazheve masive në pika që frekuentohen nga pushuesit. Thirrje e veçantë është për vëllezërit dhe motrat që vijnë nga Kosova. Për ta, mikpritja, në Velipojë, është gjithnjë speciale, ndaj i bëj thirrje që të vijnë sa më shumë këtu e të kalojnë pushimet me ne”, theksoi Bushati.
ma.me