Panairi dhe tri sfidat reale të LIBRIT shqip!

Nga Alfred Peza

Ditët e festës së librit në Tiranë, si në çdo vjeshtë të tretë të 21 viteve të fundit me radhë, mbledhin sëbashku botues, shkrimtarë, lexues duke u shndërruar në një pikë referimi edhe për shumë nxënës e mësues. Në pamje të parë, perceptimi i përgjithshëm është se nga viti në vit kemi një ulje të sasisë së librave të shitur dhe parave në qarkullim, përkundër numrit në rritje të enteve botuese në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan.

Sipas një studimi të fundit të INSTAT, 1/3 e popullsisë së Shqipërisë ose rreth 1 milion qytetarë, nuk lexojnë asnjë libër gjatë gjithë vitit. Duke i shtuar analfabetizmit real dhe atij funksional që ka prodhuar shoqëria dhe sistemi ynë arsimor në 28 vjet, edhe disa shifra të frikshme si këto. Një realitet ky që shtron shumë çështje për zgjidhje, për të cilën qeveria shqiptare ka ndërmarë edhe Lëvizjen Kombëtare për Lexim. Ku njëra ndër hapat, është ajo e shpërndarjes së mbi 500 mijë librave në mbi 300 shkolla të vendit. Pjesë e kësaj lëvizje është edhe projekti për rivitalizimit të rrjetit të bibliotekave nëpër lagjet e qyteteve në Tiranë, apo bibliotekat e lëvizshme që po tentojnë ta çojnë librin edhe nëpër fshatra dhe zonat e thella të vendit.

Në këtë atmosferë, u zhvillua në një nga ambjentet e Panairit të Librit në kryeqytet një tryezë e rrumbullakët diskutimi me temë: Shkrimtari- tregu- komunikimi, me pjesëmarrjen e botuesve, autorëve, publicistëve dhe gazetarëve të njohur të kulturës. Eshtë një temë e gjerë, që ofron mundësi të panumërta për debat, por që gjithësesi gjithkujt mund ti lindë e drejta të japi gjykimin e vet, mbi atë se çfarë përcaktohet si më prioritarja për të zgjidhur këtë krizë të raportit mes shqiptarëve- librit dhe leximit të tij.

Së pari, ka një copëzim dhe fragmentarizim të tregut nga operatorët e sotëm, të cilët duket sikur i drejtohen për ta çuar librin, grupeve dhe target grupeve gjithnjë e më të pakta të popullsisë. Botuesit tanë duket sikur komunikojnë vetëm me tregun brenda disa qyteteve të Republikës së Shqipërisë dhe mundësisht vetëm disa pikave të shitjes së librit, në qendër të Tiranës. Botuesit e Kosovës, duket sikur i drejtohen vetëm lexuesve të territorit të Republikës së tyre dhe mundësisht, vetëm atyre pak librarive rrotull qendrës së Prishtinës. Botuesit shqiptarë në Maqedoni, gati gati i drejtohen vetëm një librarie në Shkup, dhe e kanë fokusuar gjithë punën e tyre tek shitjet e librave në Tetovë apo në ndonjë qytet tjetër. Për të mos folur më pas për botuesit dhe për tregëtimin e librit shqip në Malin e Zi, apo në Luginën e Preshevës në Serbinë jugore.

Sipas wikipedias ka rreth 12 milionë shqiptarë sot në botë, ndërsa sipas google janë 18 milionë ndërsa sipas shërbimeve sekrete auroatlantike, 20 milionë. Botuesit shqiptarë nuk i drejtohen dhe nuk funksiojnë si ente të një tregu kaq shumëmilionësh të shqiptarëve në të gjithë botën, fatkeqësisht. Por, për shkak të metodave të vjetra të të bërit biznes në epokën e revolucionit të teknologjive digjitale, po vetizolohen nëpër ishuj gjithnjë e më të vegjël të tregut mbarëshqiptar, duke e bazuar gjithë pritshmërinë e tyre vjetore për shitje dhe balance financiare, tek këto pak ditë të Panairit të Librit në Tiranë dhe tek ndonjë nga minipanairet e verës a pranverës.

Së dyti, Panairi i Librit tregon se botuesit shqiptar presin që në një epokë si kjo, ta detyrojnë ende si 100 vjet më parë lexuesin të shkojë tek libri. Shtëpitë botuese po rrudhen e po rrudhen si “Lëkura e Shagrenit” e Balzakut, në përpjestim të zhdrejtë me vonesën fatale që duket se po i bëjnë integrimit të librit shqip në sistemin e ri shkrimtar- treg- komunikim, i cili në vendet që po e kalojnë krizën e librit dhe leximit, bazohet mbi sisteme të ciklit të mbyllur të një industrie tërësisht të dixhitalizuar. Ku teknologjia digjitale, nuk e zëvendëson librin, por është tërësisht në funksion të përhapjes, reklamimit, shitjes dhe promovimit të tij. Jo vetëm nëpërmjet shitjeve me libra digjitalë, aplikacione, website të specializuara dhe të dedikuara, por edhe me shitjet online. Që do të thotë se sfida e sotme, ndryshe nga e djeshmja, nuk është që ta sjllësh lexuesin tek libri, por që ta çosh librin tek lexuesi.

Së treti, industria e librit sot në botë, po ia del të mbijetojë dhe në shumë raste edhe të lulëzojë, për shkak të të funksionuarit të saj jo sipas logjikës së botimeve shqip, “secili për vete, Zoti për të gjithë”. As “o Mete, për vete”. Por, sipas një logjike të ekonomisë liberale të tregut, ku “dora e padukshme e Adam Smithit” arrin që të harmonizojë në një të vetme, industrinë e librit, me kinematografinë, me televizionin, me internetin dhe me produktet e platformave pay. Shkrimtari shqiptar e sheh veprën e vet sot me dhimbjen e dikujt që sheh krijesën e vet të vdesë ende pa lindur dhe jo me kënaqësinë e atij që e sheh krijesën e vet që të shumëfishohet në një numër gjithnjë e më të madh produktesh të reja për lexuesit, shikuesit, përdoruesit e teknologjive të reja, e kështu me radhë.

Këto dhe sfida te tjera ndoshta më të mëdha apo më të vogla, janë ato që shqetësojnë sot jo vetëm shkrimtarët, por edhe botuesit e lexuesit. Këto zgjidhen kur të gjithë bëhen bashkë edhe me vullnetin e qeverisë dhe shtetit, për ti shpëtuar gërmat, gjuhën, librin dhe leximin shqip nga kjo krizë ku jemi zhytur, për ta shndërruar të gjithën këtë, në një Levizje të vërtetë Kombëtare për Lexim. Ky Panair i Librit që po zhvillohet tani në Tiranë, le të shërbejë si një pikënisje për këtë!

AlpeNews.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU