Paloka paralajmëron padinë e radhës në prokurori

Edhe pse thotë se nuk ka besim te drejtësia në vend, nënkryetari i demokratëve Edi Paloka thotë se shumë shpejt do bëjë edhe ai një denoncim në prokurori.

“Ka lidhje me komisionin hetimor, ku ka denoncuar se ata që pengojnë hetimin do i çoj për ndjekje penale. Ata që do pengojnë hetimin do i çojë për ndjekje penale. Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë nuk kanë sjellë asnjë rresht për Komisionin Hetimor. Megjithatë kjo është pjesë e lojës që duhet të na shqetësojë të gjithëve, një vend ku krimi ka marrë pushtet të paimagjinueshëm, vetëm se i jep Ramës mbështetje në zgjedhje” – u shpreh Paloka në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’, ndërsa tha se vetëm qytetarët mund ta ndryshojnë këtë situatë.

“Detyra e deputetit nuk është të jetë në një sallë të mbushur me kriminalë. Ne nuk jemi vend normal. Pasi kam bërë gjithë këto denoncime, unë nuk mund të shkoj të ulem me Cyrben e Rrajën, dhe parlamenti të jetë në normalitet”, tha ai.

Ndër të tjera, Paloka tha se ditën e hënë do të prezantohet platforma për zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa theksoi se opozita ka platforma të qarta për daljen e vendit nga situata ku ndodhet. Ai theksoi se zgjidhja e fundit por e vetme është që opozita të thërrasë qytetarët për të reaguar për të rrëzuar Ramën nga pushteti.

“Hapi i fundit mbetet përballja. Të përballemi me këtë qeveri deri në fund. Pakënaqësia dhe revolta është e dukshme. Mbi 70% e shqiptarëve duan që kjo qeveri të ikë. Se sa do të jetë pjesa që do të marrë guximin të sakrifikojë, sigurisht nuk flas si ato të 21 janarit, që Rama i hodhi mish për top, por një përballje nuk bëhet pa sakrifica. Kur njerëzit të jeni gati të kuptojnë që kjo qeveri nuk ikën pa sakrifica jam i bindur që siç e kanë mbështetur opozitën në protesta të tjera do ta mbështesë sërish.”, -theksoi Paloka.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU