Paloka: Pa zbatimin e vendimeve të Kushtetueses, s’mund të ketë reformë në drejtësi

Reforma në sistemin e Drejtësisë është kryefjala e politikës në Shqipëri. Por sipas opozitës është hipokrizi që të flitet për realizimin e reformës në Drejtësi, pa respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këtë gjë theksoi kreu i grupit parlamentar i PD-së Edi Paloka, nga qyteti i Shkodrës.

“Ne radhë të parë në lidhje me reformën në Drejtësi, mendoj se i kemi dhënë të qarta opsionet tona. Nuk mund të bëjmë hipokrizi e të flasim për reformë në drejtësi ku mazhoranca nun zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pa u zbatuar vendimet e Kushtetueses dhe pa u zbatuar marrëveshja e 24 dhjetorit, nuk mund të bëjmë hipokrizi sikur do të bëjmë reformë në drejtësi.

Këto janë detyrime kushtetuese dhe jo kushte të PD, por detyrime kushtetuese që ka mazhoranca. Vullnetin tonë e kemi shprehur dhe kemi rënë dakord për disa pika, thjesht presim që mazhoranca të tregojë vullnetin e saj. Uroj që ky vullnet të jetë i sinqertë edhe nga Edi Rama pasi duket sikur në çdo moment sajon ngjarje që kanë për qëllim bllokimin e reformës”, u shpreh Paloka.

 Sipas Palokës duhen respektuar disa pika që do të zgjidhnin ngërçin politik në vend dhe do i hapnin dritën jeshile negociatave me Bashkimin Evropian për marrjen e statusit.

 “E deklaroi edhe komisioneri Johannes Hahn pak ditë më parë se janë disa pika, pa realizimin e të cilave, jo vetëm integrim nuk mund të ketë, por s’mund të ketë asnjë hap përpara. Pikat janë zbatimi i vendimeve të Gjykatave, zbatimi i dekriminalizimit, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme si dhe ulja, dialogu e konsensusi për reformën në drejtësi”, tha Paloka.

 Lidhur me tryezën Rama-Basha, nënkryetari i PD, Edi Paloka, theksoi se opozita nuk mund të pranojë uljen në tryezë me mazhorancën për të diskutuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne kemi bërë një marrëveshje në 2014-ën, që duket absurde se kemi bërë një marrëveshje në presionin e të huajve, me qëllim që  mazhoranca të zbatojë kushtetutën dhe vendimet e gjykatave. Në një kohë kur zbatimi i vendimeve është i detyrueshëm për qytetarin e thjeshtë, imagjino pastaj për deputetët dhe qeverinë. Nuk mund të ulemi në një tryezë për të diskutuar vendimet e gjykatës. Duhet të tregojnë vullnetin se janë dakord që duan të zbatojnë vendimet dhe më pas ne jemi të gatshëm për ftesa. Pasi kemi qenë ne që kemi përcjellë mbi 30 ftesa”, theksoi Paloka.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU